A I MBRON VËRTET SHTETI GRATË VIKTIMA TË DHUNËS NË FAMILJE DHE VIKTIMAT NË BAZË GJINORE?!

A I MBRON VËRTET SHTETI GRATË VIKTIMA TË DHUNËS NË FAMILJE DHE VIKTIMAT NË BAZË GJINORE?!

Ngjarjet e fundit që ndodhën në Gostivar, Negotinë dhe Strumicë ngritën çështjen se sa shteti i mbron gratë të cilat ballafaqohen çdo ditë me dhunën në familje dhe dhunën në bazë gjinore.

Krahas faktit që RMV ratifikoi Konventën e Stambollit dhe harmonizoi të gjitha rregulloret pozitive ligjore, më saktë, miratoi një ligj të ri për parandalimin dhe mbrojtjen e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje, përsëri janë të pashmangshme veprat e dhunës në familje që përfundojnë me lëndime të rënda trupore dhe raste që përfundojnë me femicid. Sistemi për parandalimin e dhunës nuk funksionon fare, gjë që duket se vë në dyshim seriozisht qëllimin e Konventës së Stambollit dhe Ligjit për parandalimin dhe mbrojtjen kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje.

Institucionet kompetente të cilat qëndrojnë në radhë të parë në mbrojtjen e personave që përjetojnë dhunë padyshim se nuk janë mjaftueshëm të sensibilizuara dhe të profesionalizuara në zbatimin e rregulloreve ligjore që mbrojnë viktimat, për arsye se nëse veprojnë ashtu siç e kërkon Ligji për parandalim dhe mbrojtje kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje do të arrihet qëllimi për mbrojtjen e viktimave dhe do të shmangen apo zvogëlohen pasojat e dhunës së ushtruar.

Në Qendrat për punë sociale, ata të cilët udhëheqin rastet e dhunës në familje shpesh ndërrohen, vendosin praktika të ndryshme, vendimet që marrin nuk janë të kuptueshme, ndaj është e qartë se përgjegjësia e tyre të cilën e kanë për viktimat nuk është e qartë sa duhet. Dështimi i tyre për të vepruar dhe për të mos bërë një vlerësim të saktë të rrezikut çon në rrezik serioz për jetën dhe integritetin fizik dhe mendor të viktimës dhe anëtarëve të familjes së saj.

Si ndërlidhje e kësaj që themi është një rast i dhunës në familje, i raportuar 4 (katër) muaj më parë nga viktima, rast për të cilin deri më sot nuk është ndërmarrë asnjë masë për mbrojtjen e viktimës. Dhuna në familje ushtrohet nga bashkëshorti i viktimës në formën e kërcënimit me jetë, mesazheve shqetësuese, përndjekjes, stresit dhe presioneve të përditshme. Viktima është një person me aftësi të kufizuar fizike të rëndë (paralizë cerebrale) dhe në këtë mënyrë burri duke shfrytëzuar këtë pozicion, merr vendim që lirisht të mund të dhunojë psiqikisht gruan e tij. Krahas kësaj me dhunën psikologjike po ballafaqohen edhe fëmijët e mitur si dhe të afërmit e tjerë që jetojnë në shtëpinë e përbashkët familjare.

Mirëpo rruga për arritjen e drejtësisë për këtë viktimë është larg të qenit e suksesshme, përkundrazi edhe pse janë njoftuar të gjitha institucionet kompetente, nuk ka asnjë zgjidhje për këtë rast për 4 (katër) muaj. Fillimisht viktima e paraqet bashkëshortin për ushtrim të dhunës në stacion policor, ndërsa raporti nga policia në Qendrën ndërkomunale për punë sociale-Shkup arrin pas një jave. Nga Qendra ndërkomunale për punë sociale-Shkup viktima thirret të nesërmen për të dhënë deklaratë, e më pas thirren edhe fëmijët e saj për të dhënë deklaratë për dhunën në familje. Për rreth një muaj viktima nuk ka marrë asnjë përgjigje nga Qendra ndërkomunale për punë sociale-Shkup lidhur me procedurën përveç se edhe kryerësi i veprës është thirrur në qendër për të dhënë deklaratë. Prandaj Rrjeti nacional kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje ka kontaktuar me udhëheqësin e rastit për këtë lëndë i cili ka theksuar se afati ligjor për veprim ndaj këtyre rasteve është 30 ditë dhe nuk ka vonesa por përkundrazi, afati ende funksionon sipas rregulloreve ligjore pozitive.

Cila është kohëzgjatja 30 ditore për mbrojtjen nga dhuna në familje e dinë vetëm qendrat e punës sociale pasi që këto procedura janë urgjente dhe kërkojnë veprim të menjëhershëm, duke mos e lënë viktimën vetëm të merret me dhunuesin për 30 ditë. Pasi viktima më në fund ishte thirrur në “Qendrën ndërkomunale për punë sociale-Shkup”, për të nënshkruar pëlqimin për masat e përkohshme të mbrojtjes është caktuar seanca gjyqësore. Në vetë seancë nuk është shqiptuar asnjë masë e përkohshme për mbrojtje për shkak se kryerësi i veprës ka deklaruar se kërkon përfaqësues ligjor në procedurë, prandaj gjykata merr vendim që seancën për masa të përkohshme të mbrojtjes ta shtyjë për një muaj më vonë, gjegjësisht në Shtator.

“Qendra ndërkomunale për punë sociale-Shkup” si propozues i masave të përkohshme të mbrojtjes dhe gjithashtu përgjegjëse për jetën e viktimës, vendos të mos e parashtrojë në gjykatë këtë zvarritje shumë të gjatë të procedurës dhe nuk ka kërkuar asnjë masë të përkohshme për mbrojtje, më saktë nuk ka kërkuar ndalesë për t’u afruar, derisa është njoftuar rregullisht që kryerësi i veprës së dhunshme çdo ditë përndjek viktimën dhe familjen e saj. Nëse qëllimi i Ligjit për parandalim dhe mbrojtje të grave nga dhuna dhe dhunës në familje është të parandalojë dhunën në bazë gjinore ndaj grave dhe dhunës në familje, mbrojtjen efektive të viktimave nga çdo formë e dhunës me bazë gjinore atëherë ku është qëllimi për këtë viktimë? Si mund të parandalohet dhuna në familje nëse viktima pret 5 (pesë) muaj për masat e përkohshme të mbrojtjes? Cili është qëllimi i masave të përkohshme të mbrojtjes nëse nuk ndërmerren për më shumë se 5 muaj? Çfarë vlerësimi të rrezikut ka bërë “Qendra ndërkomunale për punë sociale-Shkup”?

Për më tepër, përfaqësuesi ligjor i viktimës i ka drejtuar letër Qendrës ndërkomunale për punë sociale-Shkup në të cilën i ka shpjeguar në detaje se periudha kohore deri në shtator është shumë e gjatë për procedura të tilla urgjente dhe se “Qendra ndërkomunale për punë sociale-Shkup” në cilësinë e propozuesit për masat e përkohshme është e nevojshme t’i drejtohet gjykatës kompetente me kërkesë formale për marrjen e vendimit jashtë seancës. Mirëpo, si përgjigje Qendra ndërkomunale për punë sociale-Shkup ka dërguar një njoftim se “kompetencë e qendrës është që ta përgatisë propozimin dhe ta dorëzojë atë në gjykatën kompetente ndërsa se nëse gjykata do të nxjerrë vendim në bazë të propozimit të dorëzuar ose do të caktojë seancë është nën kompetenca ekskluzive të gjykatës dhe Qendra ndërkomunale për punë sociale-Shkup nuk ka kompetencë të përcaktojë rregulla, rregullore dhe udhëzime në punën e gjykatës”.

Veprimet e Qendrës për punë sociale janë sërish të paqarta. Qendra për punë sociale si propozuese e masave të përkohshme të mbrojtjes nuk është e ngarkuar ti jep udhëzime gjykatës por është detyrë dhe përgjegjësi që të kërkohet të njëjtat masa të shqiptohen në kohë sa më të shpejtë. Nëse institucionet duhet të veprojnë me kujdes të duhur ku është këtu kujdesi i duhur nëse vetë institucionet e lënë të pambrojtur viktimën e dhunës në familje për të shpëtuar veten nga dhunuesit? Nëse në shumë raste vetë viktimat duhet të shpëtohen nga dhunuesit pse janë caktuar Qendrat e punës sociale si organe shtetërore për mbrojtjen kundër dhunës në familje dhe dhunën në bazë gjinore?

“Rrjeti nacional kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje” shpreh shqetësim të madh për këtë rast dhe për të gjitha rastet që enden nëpër labirintin e institucioneve ndërsa viktimat janë të pambrojtura dhe të lëna pas dore në fatin e tyre. Prandaj, kërkojnë nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale që të monitorojë rregullisht punën e Qendrave për punë sociale, të njoftohet më mirë me sjelljet joprofesionale, joetike, të vonuara dhe si rrjedhojë të ndërmerr masa të cilat do të përmirësojnë punën e Qendrave për punë sociale dhe të mbrojë viktimat e dhunës në familje dhe viktimat në bazë gjinore.

Njoftimin e plotë dhe origjinal të këtij informacioni mund ta lexoni në https://glasprotivnasilstvo.org.mk/dali-drzhavata-navistina-gi-shtiti-zhenite-koi-se-zhrtvi-na-semejno-i-rodovo-bazirano-nasilstvo/?fbclid=IwAR2-TrfNhIlq5_balTfPm8Ci4tOR_k16fe5DWaxpruQRHoR5lTVY2fAnrIk i publikuar në faqen e internetit të “Rrjetit nacional kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje”.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published.