INSTIKTI I NËNËS NUK GABON

INSTIKTI I NËNËS NUK GABON

Kur vura re për herë të parë që djali ynë 14-vjeçar pinte më shumë ujë se zakonisht, i thashë bashkëshortit tim se etja e papritur mund të jetë një shenjë e sëmundjes së diabetit. ‘’Jemi në mesin e një vale të nxehti”- u përgjigj ai. Disa ditë më vonë, djali ynë dukej jashtëzakonisht i lodhur dhe unë përmenda sërish mundësinë e diabetit, por im shoq më tha sërish se ishte normale pasi ai merrej me sport dhe luan gjithë ditën me shokët. Por kur im bir më tha se kishte qenë zgjuar gjithë natën, i telefonova më në fund mjekut. Doli se nivelet e sheqerit në gjak ishin shumë të larta.

Ai kishte humbur 11 kilogramë në 3 muaj, pavarësisht se hante më shumë se sa zakonisht. Kur e shtruam në spitalin e fëmijëve për trajtim urgjent, i thashë infermieres se dyshoja për diabet, por nuk i kisha telefonuar mjekut sepse bashkëshorti im vazhdonte të jepte shpjegime logjike.

“Instikti i nënës nuk gabon asnjëherë”- m’u përgjigj ajo. Por a ekziston vërtet instinkti i nënës? Jo, thonë shkencëtarët. Ose të paktën jo siç konceptohet zakonisht. Është e vërtetë se gjatë shtatzënisë, ushqyerjes me gji dhe kujdesit për një foshnje të porsalindur, nënat pësojnë ndryshime hormonale.  Këto hormone, përfshirë oksitocinën, nxisin lidhjen midis foshnjës dhe nënës.  “Është një proces. Nuk është një ndryshim i menjëhershëm. Unë nuk mendoj se shkenca e mbështet ekzistencën e instinktit të nënës”- thotë antropologia Sara Hardi, autore e librave mbi lidhjet familjare, përfshirë atë me titull “Nënat dhe të tjerët”.

Truri pëson transformime të rëndësishme gjatë shtatzënisë, përfshirë ato strukturore që mund të zgjasin deri në 6 vjet më pas, thotë Elselin Hokzema, neuroshkencëtare në Universitetin e Leiden-it në Holandë. Ajo dhe kolegët e saj zbuluan se truri i nënave shtatzëna, përjeton një reduktim të vëllimit të lëndës gri, siç raportohet edhe në një studim të vitit 2016 të botuar në “Nature Neuroscience”, dhe kjo mund të jetë mënyra e trupit për t’i përgatitur ato për t’u kujdesur për foshnjat.

Edhe në adoleshencë ndodhin reduktime të konsiderueshme në lëndën gri, të cilat nxiten nga të njëjtat hormone që shtohen edhe gjatë shtatzënisë, thekson Hokzema. Brenda trurit të adoleshentëve, rrjetet nervore janë rregulluar si duhet për të lejuar zhvillime emocionale, sociale dhe njohëse.

Dhe midis grave shtatzëna, shkencëtarët vëzhguan ndryshime më të dukshme në rajonet e trurit të lidhura me proceset sociale. Pra mund të ketë  një specializim brenda trurit, i cili mundëson kalimin në pritje drejt amësisë, vë në dukje ekspertja.

Ka të ngjarë që sa më shumë volum të humbasë një grua në një rajon kyç si ai i shpërblimit në tru, aq më fortë reagon ajo pasi sheh të porsalindurin e saj. Këto ndryshime gjatë shtatzënisë, mund ta ndihmojnë një nënë të kujdeset për fëmijën e saj, një dukuri që është vënë re edhe tek gjitarët e tjerë.

Hormonet që lidhen me shtatzëninë dhe kujdesin, mund të shtohen edhe tek individët e tjerë përveç nënës së fëmijës. Ndërsa dihet se trupat e nënave me gji prodhojnë oksitocinë, e cila ka një efekt qetësues, baballarët, prindërit birësues, gjyshërit dhe kujdestarët e tjerë, pësojnë ndryshime gjithashtu biologjike për shkak të kalimit të kohës me fëmijët, thotë Radherford i Qendrës së Studimit të Fëmijëve.

Përveç ushqyerjes me gji, mbajtja e një fëmije pranë trupit tuaj (i njohur edhe si kujdesi i kangurit) i rrit gjithashtu nivelet e oksitocinës. Nga pikëpamja evolucionare, nënat kanë shërbyer si kujdestare, mbrojtëse dhe edukatore. Ato zhvillojnë një ankth të shtuar rreth mirëqenies së fëmijëve të tyre, dhe u kushtojnë veçanërisht vëmendje atyre, gjë që ndihmon mbijetesën e specieve thekson Radherford. Po ashtu, studimet sugjerojnë se burimi i rritjes së oksitocinës mund të ndryshojë midis burrave dhe grave. Meshkujt mund të përjetojnë rritje të hormonit përmes niveleve të larta të kontaktit stimulues, ndërsa femrat mund ta përjetojnë atë përmes shumë prekjeve të përzemërta.

Niveli i “instinktit të nënës” tek një grua, nëse ekziston një gjë i tillë, varet nga ajo sesa shumë ndihmë kanë gjatë prindërimit, thotë Radherford, së bashku me mënyrën se si janë rritur vetë. Në përgjithësi, studiuesit bien dakord se disa prindër, pavarësisht nga gjinia, janë më të vetëdijshëm për gjendjen shpirtërore dhe luhatjet shëndetësore të fëmijëve të tyre sesa të tjerët.

Ajo që cilësohet rëndom si “instinkti i nënës”, mund të jetë në fakt një kombinim i motivimit dhe i kohës cilësore të kaluar me fëmijët. Dhe kjo është një arsye tjetër pse disa studiues besojnë se instinkti i nënës është një mit. / Nga Theresa Sullivan Barger për  “Discover Magazine”.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published.