LIDHJA E VEÇANTË MARRËDHËNIA BABA-VAJZË

LIDHJA E VEÇANTË MARRËDHËNIA BABA-VAJZË

Marrëdhënia baba-vajzë është një marrëdhënie komplekse sa edhe marrëdhënia baba- djalë. Është kjo marrëdhënie që e drejton babain drejt përgjegjësisë dhe kontrollit të ndjesive, cilën do të “ushqejë” dhe cilën do të mënjanojë.

Në themel të kësaj marrëdhënieje qëndron binomi femër-mashkull, për këtë arsye kjo marrëdhënie, baba-vajzë, merr një vlerë të veçantë. Ajo bazohet vetëm në njerëzoren, e cila përjashton sferën instiktive, që e ka origjinën te natyra dhe riprodhimi.

Marrëdhënia baba-vajzë është marrëdhënie e bazuar në vetëdijen, përgjegjësinë, përkujdesin dhe vetëkontrollin, pra në sistemin e vlerave të shoqërisë njerëzore. Është pikërisht ky raport, që e vendos burrin në një pozicion sa delikat aq edhe njerëzor. Ai e do vajzën e tij nëpërmjet sitës dhe kontrollit të mendjes.

Burri-baba bëhet i vëmendshëm ndaj vetes dhe shmang çdo ndjesi, që vjen nga sfera instiktive. Babai, në çdo fazë të jetës së vajzës, duhet të jetë i pranishëm me autoritetin e fjalës dhe tolerancën e të rriturit, që shmang ndrojtjen dhe frikën.

Babai i mëson vajzës se pasi mbaron rritja fizike, rritja psikoemocionale merr përparësi dhe do ta shoqërojë njeriun gjithë jetën. Njeriu kalon nga një nivel i caktuar në atë më të avancuar. Këtë të vërtetë të njeriut babai ia demonstron fëmijëve të tij me sjelljen e tij.

Ai e nxit vajzën të ketë besim te vetja dhe kurajë për të thënë mendimin e saj, por duke përzgjedhur fjalën, pasi fjala është vetëm e njeriut dhe urë për njerëzoren.

Ai i mëson vajzës se respekti për jetën fillon nga vetja. Se detyra kryesore e njeriut është të ndërtojë “fytyrën” e tij, nga e cila dhe do të njihet. Dhe kjo punë kërkon shumë përgjegjësi dhe vetëdije.

Një baba, që nuk arrin të ndërtojë këto mënyra sjelljeje dhe të menduari, tregon se nuk është i rritur si person. Ky njeri nuk është i rritur vetë në njerëzore dhe nuk arrin të njohë veten e tij.

Kështu fshihet pas paragjykimeve apo faktit, që është babai dhe mund të bëjë ç’të dojë me fëmijët e tij, apo me familjen e tij dhe, se ata duhet t’i nënshtrohen.

Ky baba sillet e vepron nëpërmjet pushtetit mbi tjetrin, që nuk ka asnjë lidhje me dashurinë prindërore.

Babai, që justifikon sjelljen e tij konfuze dhe të ashpër duke u fshehur pas akuzës për të bijën, pasi ajo mund të marrë rrugë të keqe apo sillet keq, është vetëm një njeri i paaftë për të qenë prind. Ai është i paaftë të përdorë fjalën dhe nuk e njeh fuqinë e saj. Ai nuk di të ndërtojë dialogë, që është dhe një nga detyrat e tij.

Për fat të keq te ky njeri mbizotëron konfuzioni dhe ai është i paaftë ta menaxhojë gjendjen. Kështu, ose shpërthen në dhunë ose hesht dhe bëhet jo prezent edhe pse është aty fizikisht.

Nëse raporti baba-vajzë nuk bazohet në respektin e njeriut ndaj njeriut, ku të dy dëgjojnë njëri-tjetrin dhe krijojnë mundësi të flasin dhe të shprehin mendimin e vet secili, pa u paragjykuar apo duke humbur durimin, nuk ndërtohet marrëdhënie!

Ku mbizotëron frika, nuk flitet me kurajo. Të dy i shmangen njëri tjetrit, ose flasin në kulm të nervozizmit, kur situata precipiton në dhunë verbale dhe fizike. Pra këta dy njerëz, baba dhe vajzë, dashur pa dashur bëhen të huaj me njëri-tjetrin.

Një baba duhet të dijë ta ndërtojë dhe udhëheqë një proces të tillë, madje kjo është detyra e tij si i rritur. Është e vërtetë, që të bërit prindit është detyra më e vështirë, që njeriu përballet, por jo e pa realizueshme.

Natyrisht që kërkohet shumë vullnet dhe përgjegjësi, por njeriu i ka potencialët, mjafton t’i vërë në veprim. Mendoj se kur shikon vajzën që është rritur dhe është e integruar mirë në njerëzore, edhe babai ndihet i përkëdhelur në veten e tij pasi e ka udhëhequr mirë në këtë proces. Ai ka qenë prezent pa zënë vend, duke e lënë atë protagoniste të jetës së saj.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published.