EKSPERTËT: PRANVERA DO TË JETË MË E QETË, NË DIMËR SËRISH INFEKTIME

EKSPERTËT: PRANVERA DO TË JETË MË E QETË, NË DIMËR SËRISH INFEKTIME

Pandemia e virusit korona po hyn në një fazë të re bazuar në nivelin e lartë të vaksinimit dhe imunitetit natyral, çka nënkupton se pranvera dhe vera do të jenë si në kohët e para pandemisë këtë vit. Virologu i njohur belg Peter Piot është i fundit që i bashkohet zërave që flasin me tone optimiste për rrjedhën që po merr kriza shëndetësore.

“Mendoj se është e qartë se po shkojmë drejt një faze të re; pikë së pari, pasi virusi po ndryshon në variante si Omicron, i cili, siç e dimë, është më i transmetueshëm, por më pak agresiv. Së dyti, falë vaksinimit, numri i vdekjeve ka rënë. Ka më pak të shtruar në terapitë intensive, kështu kjo, e kombinuar me infektimin natyral, do të thotë se kemi imunitet kolektiv”, thotë Piot.

Por Piot, i cili është ekspert i shëndetësisë i njohur si bashkë zbuluesi i Ebolës njëkohësisht edhe me punën e tij lidhur me HIV/AIDS, shton se dimri mund të risjellë sërish shpërthime periodike të infektimeve, që mund të frenohen falë vaksinimit dhe respektimit të masave.

“Mendoj se mund të shpresojmë se pranvera dhe vera do të jenë pak a shumë siç kanë qenë përpara, duke supozuar se nuk do të kemi më variante të rrezikshme. Gjithsesi, në verë do të jemi të relaksuar. Por, unë po mendoj që tani për dimrin e ardhshëm, pasi kur themi se virusi do të bëhet endemik, do të thotë se do të jetë kudo edhe pse me më pak rrezik për popullsinë”.

Ndërsa shkenca parashikon se Kovid-19 nuk do të zhduket në të ardhmen e afërt. Kompanitë farmaceutike vijojnë punën për të përshtatur mjetet e luftës. Pfizer dhe Moderna thonë se do të keë së shpejti gati vaksinën kundër variantit Omicron, e cila sipas tyre do të hyjë në fazën e testimit klinik javët e ardhshme. Kompania beson se do të mund të ndajë të dhënat mbi sigurinë dhe efektshmërisë së saj, në muajin mars. Moderna po zhvillon gjithashtu një vaksinë të vetme që kombinon dozën përforcuese me një vaksinë eksperimentale kundër gripit./A2CNN

Leave a Reply

Your email address will not be published.