JOGA-MISHËRIM I TRUPIT, MENDJES DHE SHPIRTIT

Joga nuk është vetëm ushtrim fizik por është mishërim i trupit, mendjes dhe shpirtit!

Periudha dy vjeçare e pandemisë e cila akoma vazhdon të jetë shqetësuese ka krijuar një brishtësi në baraspeshën tonë fizike dhe psiqike. Me ndryshimin e ritmit të jetës ndjejmë nevojën për një kthim kah vetvetja dhe njëkohësisht përforcim të sistemit imunitar, fizikut dhe mendjes. Një nga mënyrat me të cilën ne mund ta arrijmë këtë është pikërisht aplikimi i Jogës e cila nuk ka efekte negative anësore, ndihmon në ruajtjen e paqes shpirtërore, në rritjen e imunitetit dhe ndikon në trupin dhe  mendjen tonë.

Në këtë temë ne vendosëm të flasim me Drita Zeqirin.  Ajo tregon për punën, stresin ditor dhe qetësinë të cilën e gjen me aplikimin e Jogës në përditshmërinë e saj. Thotë se edhe krahas faktit që është adhuruese e sporteve të ndryshme kjo mënyrë e ka ndihmuar të gjejë forcën brenda vetes, qetësinë shpirtërore por edhe ka ndikuar në ndryshimin e ritmit të jetës së saj. Drita sot është një shembull motivues për shumë vajza dhe gra me fotografitë e publikuara në rrjete sociale të cilat kanë marrë jehonë të madhe në opinion.

Nga buron pasioni yt për jogën?

“Në jetën time pasioni për Jogën ka lindur shumë rastësisht. Përkundrazi, duke marrë parasysh natyrën time hiperaktive dhe energjike nuk isha adhuruese e jogës dhe çdo herë kisha një lloj rezistence ndaj saj.  Kështu që duke pasur një mendim që joga është e lidhur kryesisht me metoda meditimi dhe qetësie (është e ngadalshme) nuk kam pasur ndonjë dëshirë të madhe për tu marrë me këtë praktikë. Gjithsesi dashuria ime ndaj sportit ka qenë e shfaqur që nga fëmijëria ime dhe në përgjithësi isha aktive në sporte të ndryshme si pilates dhe të ngjashme. Gjatë periudhës së mbylljes, gjatë pandemisë (lockdown-it) duke marrë parasysh se shumë salla dhe qendra sportive ishin të mbyllura nuk kisha shumë zgjidhje sa i përket mënyrës së ushtrimeve. Kështu që pas disa rekomandimeve vendosa të provoj Ashtanga (praktikë e jogës), me të cilën merrem momentalisht.”

Si ndikon joga në gjendjen tonë fizike dhe psiqike?

“Siç e përmenda edhe më lartë, unë kam qenë adhuruese edhe praktikuese e sporteve të ndryshme të natyrës së pilates, power Pilates, CrossFit, total body workout, fitness dhe të tjera. Gjithsesi për të pasur një jetë të shëndetshme fizike dhe psiqike (posaçërisht ne këto kohë) unë i rekomandoj ngrohtësisht por ajo ku unë kam gjetur balancim fizik dhe psiqik pa diskutim është joga! Praktika e jogës ndikon ne fizikun tonë me atë që e rrit mobilitetin dhe elasticitetin e trupit si dhe aktivizon të gjithë muskujt e trupit duke përdorur teknika të frymëmarrjes dhe zgjatjes. Megjithatë, derisa kjo zhvillohet në praktikë ne arrijmë të jemi fizikisht aktiv dhe mentalisht të fokusuar në veten tonë me atë që lëvizjet gjatë ushtrimeve janë tejet të ngadalshme dhe të buta gjë që ndikon pozitivisht të mos I dëmtojmë nyjat dhe eshtrat. Nga ana tjetër nuk I aktivizojmë hormonet por përkundrazi i qetësojmë ato dhe kështu nëpërmjet lëvizjeve arrimë që të përdorim të gjithë muskujt e trupit dhe në të njëjtën kohë të kemi qetësi të plotë mendore.”

A mund të përshkruani ndonjë sfidë qe e keni tejkaluar me joga ose dikush tjetër?

“Gjithsesi, patjetër që po. Përfitimet janë të shumta, andaj edhe jam adhuruese e Ashtanga-Yoga por një ndër sfidat që e kam tejkaluar me joga, që është mjaft e shprehur dhe e cila ka qenë shumë torturuese për mua është pagjumësia. Në përgjithësi kam pasur shumë problem me gjumin, pasi që si shumë njerëz në ditë të sotme edhe un kam pasur sfidë me qetësimin e mendimeve (overthinking), dhe kjo reflektonte tek unë në pagjumësi, probleme të përgjithshme me gjumin dhe shqetësimin. Pas një periudhe kohore të praktikimit të jogës fillova të vërej që gjumi im ishte më i qetë dhe i plotë, duke mos e kaluar at torturën e secilës natë për tu munduar të bëj një gjumë të rehatshëm.”

A ka metoda të veçanta të cilat përdoren për menaxhimin e stresit?

“Ekzistojnë metoda të ndryshme me të cilat punoj për ta menaxhuar stresin, disa ata janë nga trajnimet që i kam ndjekur në qendrën e certifikuar Brain Tree (themeluesja e së cilës jam unë). Ndërsa ato janë disa nga metodat më të aplikuara në botë për ta menaxhuar stresin por gjithsesi metoda me të cilën arrij të qetësohem plotësisht është praktika e metodës Ashtanga-yoga.”

Tanimë shohim se joga është rutinë ditore që ke. Si e ke arritur këtë?

“Po, tani më është rutinë ditore për të cilën mundohem të gjejë kohë gati çdo ditë. Mendoj që kjo u arrit si varësi e ndjenjës të cilën e jep kjo praktikë, është një ndër gjërat më të rënda në jetë që kam provuar me atë që të balancosh fiziken dhe psiqiken. Kërkon shumë orvatje dhe kur e arrin qëllimin ndjenja është e veçantë me të cilën kupton që dëshira për të pasur një praktikë të tillë ditore është e pa shmangshme.”

Shohim në publikimet tua që edhe gjatë pushimeve nuk pushon. Krahas faktit që duken figura të vështira ato janë jashtëzakonisht të bukura. A don të thotë se aplikon Jogën edhe gjatë pushimeve?

“Joga është praktikë që adhuron ushtrime në natyrë, në qetësi e në vende të bukura. Patjetër që po, Joga është përditshmëri e imja, edhe për mua vetë praktika e saj është pushim, kështu që e praktikoj edhe gjatë pushimeve veçanërisht në vende ku arrij të gjej qetësi.”

Nëse preferojmë jogën krahas aktivizimit të muskujve, mendjes arrijmë edhe në humbjen e peshës por për këtë na duhet një ushqim i shëndetshëm. Çka do të kishit preferuar në këtë temë?

“Gjithsesi, ushqimi është një ndër çelësat kryesor për një trup dhe mendje të shëndetshme. Fatkeqësisht shumica nga ne nuk e praktikojmë këtë mënyrë të jetës, duke më përfshirë edhe mua, por kur fillon të merresh me ndonjë aktivitet fizik personi e vëren dallimin e intensitetit të ushtrimeve dhe forcës përgjatë ushtrimeve kur ushqimi ditor ka qenë I shëndetshëm dhe atëherë kur ka qenë jo i shëndetshëm. Në përgjithësi konsumi I drithërave, ushqimeve me më pak vaj dhe atyre me më pak sheqer të bardhë është më i mire. Gjithsesi, në masë të caktuar nuk është edhe aq i dëmshëm sa ai në masë të madhe dhe i shpeshtë.”

 

 

Çka të motivon dhe çka të de-motivon në jetë?

“Një ndër pyetjet më të rënda (qeshet).  Më motivon suksesi, e bukura, e qeta dhe e mira. Nuk jam karakter që demotivohet lehtë por në përgjithësi pa drejtësia është zhgënjimi më i madh për mua, por gjithsesi zhgënjimi ose demotivimi zgjat shkurt. Pas asaj vazhdoj gjej motiv përsëri.”

Kur e gjithë bota vuan nga stresi dhe ankthi, meditimi ka fuqinë t’ju mundësojë të kontrolloni mendimet tuaja. Fryma juaj është një lidhje midis trupit dhe mendjes. Kur mësoni artin e trajtimit të frymës, lehtë mund ta fitoni mendjen. Meditimi ka fuqinë t’ju çojë në një gjendje thellësisht të relaksuar, një pushim të thellë që shpesh është më i fuqishëm se gjumi. Thuhet se 20 minuta meditim ju jep përfitime të barabarta me 4 orë gjumë. Meditimi ju lidh me hapësirën tuaj të brendshme dhe ju bën të kuptoni se ju vetë jeni burimi i gëzimit dhe lumturisë suaj. Të gjitha këto janë jashtëzakonisht shumë të nevojshme për një jetë të shëndoshë./Ajo.mk

Leave a Reply

Your email address will not be published.