PSE FOSHNJAT FILLIMISHT E DUAN MË SHUMË NËNËN?

PSE FOSHNJAT FILLIMISHT E DUAN MË SHUMË NËNËN?

Foshnjat mund të fillojnë të njohin fytyrat përreth që në ditët e para të jetës thotë për “Romper” Dr. Jennifer Bragg, neonatologe nga Nju- Jorku.

“Kur lind një bebe, ato mund të shohin rreth 20 deri në 30 centimetra para vetes, gjatë muajve të parë të jetës ato mësojnë shpejt t’i duan fytyrat e të tjerëve. Ato shfaqin prirje ndaj fytyrave të familjarëve në raport me persona të panjohur kur i mbushin shtatë muaj”- thotë ajo.

Foshnjat priren të duan nënën e tyre në atë fazë të hershme për arsye mjaft të dukshme – zëri i saj është ai me të cilin ato janë mësuar më shumë. Por ka edhe arsye të tjera. Ndjesia e nuhatjes dhe e dëgjimit te bebet zhvillohen përpara shqisave të të parit dhe zakonisht mbështeten tek ato për të njohur personat e dashur.

“Shumica e foshnjave zhvillojnë një prirje për nënën në dy deri në katër muajt e parë. Që nga lindja, kombinimi i shikimit, nuhatjes dhe zërit ndoshta i ndihmon bebet të dallojnë nënën e tyre nga të tjerët. Ushqyerja me gji siguron distancën e përsosur mes syve të nënës dhe bebes dhe bebeve u pëlqen të shikojnë fytyrën e nënës së tyre gjatë ushqyerjes me gji”, thotë Dr.Bragg.

Ajo shton se kështu e përjetojnë më së miri aromën dhe tingullin e zërit të nënës, të cilin e dëgjojnë gjatë gjithë kohës sa janë në barkun e nënës.

Kur bebet fillojnë të njohin baballarët si dhe anëtarët e tjerë të familjes?

Vëmendja e foshnjës mund të fillojë të endet drejt babait dhe anëtarëve të tjerë të ngushtë të familjes ndërsa ai ose ajo rritet dhe arrin të identifikojë plotësisht njerëzit rreth tij dhe fillon të shoqërohet.

“Gjatë muajve të parë të jetës, foshnjat fillojnë të komunikojnë shoqërisht. Ndërveprimet e tyre më të zakonshme me nënat zakonisht ndodhin gjatë asaj periudhe dhe pas kësaj ato krijojnë një lidhje primare me to” thotë Dr. Bragg.

Ajo shton se foshnja është ende e lidhur me individin që më së shpeshti reagon ndaj shenjave të tij të komunikimit, si qarja apo buzëqeshja dhe kjo mund të mos jetë gjithmonë nëna.

Nëse ju ose partneri juaj vëreni se fëmija juaj ka një dashuri të madhe për prindin tjetër, ka mënyra për t’u afruar më shumë me fëmijën. Duke iu përgjigjur shenjave dhe duke e empatizuar me të, fëmija mëson të dojë dhe të kërkojë praninë e një personi që e trajton në këtë mënyrë.

“Faktori më i zakonshëm sipas të cilit foshnja zhvillon preferencat është se kush e ushqen më shumë foshnjën”, shpjegon mjekja.

Ajo shton se ndërsa foshnja fillon të ulet dhe të luajë më shumë, kjo tendencë mund të ndryshojë më shumë.

“Të kalosh kohë aktive duke luajtur me një fëmijë nuk është e rëndësishme vetëm për zhvillimin e tij, por edhe për lidhjen me njëri-tjetrin. Mënyra më e mirë që një prind të lidhet më shumë me një fëmijë është loja”- thekson ajo.

Çelësi për një marrëdhënie të fortë është ta doni foshnjën tuaj dhe të kujdeseni plotësisht për të. Përderisa e bëni këtë do të jeni gjithmonë në garë për pozitën numër një në zemrën e tij./Ajo.mk

Leave a Reply

Your email address will not be published.