LIGJET E REJA TË BE-SË SYNOJNË ZGJIDHJEN E HENDEKUT TË PAGAVE MIDIS GJINIVE

LIGJET E REJA TË BE-SË SYNOJNË ZGJIDHJEN E HENDEKUT TË PAGAVE MIDIS GJINIVE

Edhe pse 90% e europianëve mendojnë se, është e papranueshme që gratë të paguhen më pak se burrat, hendeku mesatar i pagave sipas gjinisë në BE mbeti afër 13% në vitin 2021.

Dhe, gjatë dekadës së mëparshme ka pasur vetëm një rënie prej 4 pikë përqindjeje. Kjo ndodh pavarësisht përpjekjeve të BE-së në nxitjen e shteteve anëtare, për të zbatuar legjislacionin dhe politikat për të përmirësuar barazinë gjinore të pagave për dekada.

Për fat të mirë, një direktivë e re e BE-së për transparencën e pagave, e miratuar në prill, do të ndihmojë për të mbyllur më tej këtë hendek.

Por edhe me këtë ligj të ri, kjo nuk do të jetë detyrë e lehtë. Zbatimi i ligjit do të nënkuptojë kapërcimin e disa nxitësve të rëndësishëm të pabarazisë së pagave midis burrave dhe grave, duke përfshirë paragjykimet e pavetëdijshme dhe stereotipet, dallimet në taktikat e negociatave dhe madje edhe teknologjinë e re, si inteligjenca artificiale (IA).

Hendeku i pagave midis gjinive (gender pay gap) është diferenca midis të ardhurave mesatare bruto për orë, të numrit total të punonjësve femra dhe meshkuj.

Ai mbulon të gjithë të punësuarit brenda një vendi, sektori ose organizate. Pra, ndryshon nga e drejta për pagë të barabartë, e drejta e një punonjëseje femër për t’u paguar njësoj si një punonjës mashkull, që bën punë të barabartë ose punë me të njëjtën vlerë.

Shkaqet e hendekut janë të ndërlikuara dhe të ndërlidhura. Është fajësuar ndarja e pabarabartë midis gjinive të punës së paguar dhe të papaguar (duke ndikuar në zgjedhjet e karrierës dhe modelet e punës).

Po kështu, shkak janë edhe paragjykimet e vetëdijshme dhe të pavetëdijshme, stereotipet gjinore, që ndikojnë në zgjedhjet arsimore dhe profesionale dhe përqendrimi i grave në punë me pagë të ulët.

Ekzistojnë gjithashtu dëshmi se hendeku i pagave, është shkaktuar pjesërisht nga dallimet gjinore në stilet e negocimit të pagave, si dhe të ashtuquajturën “asimetri informacioni” – kur punëdhënësit kanë më shumë informacion për pagat sesa aplikantët për punë dhe punonjësit.

Frika po rritet gjithashtu, për shkak se përdorimi i teknologjive të IA për të përzgjedhur kandidatët për punë, vetëm sa do të thellojë hendekun pasi ata mund të jenë të njëanshëm ndaj aplikantëve meshkuj.

Cila është direktiva për transparencën e pagave?

E drejta për pagë të barabartë është njohur nga ligji i BE-së që nga viti 1957.

Dhe megjithëse eliminimi i hendekut midis gjinive nuk kërkohet zyrtarisht nga ligji i BE-së, ulja e saj është pjesë e “shtyllës europiane të të drejtave sociale” “European pillar of social rights”, një prioritet në Strategjinë e BE-së për barazinë gjinore 2020-2025, si dhe pjesë e synimeve të Kombeve të Bashkuara për zhvillimin e qëndrueshëm (United Nations’ sustainable development goals), që duhet të arrihen deri në vitin 2030.

Ndër masat individuale të direktivës, është e drejta e punëtorëve për të marrë informacione mbi pagesën për punëtorët e tjerë, që bëjnë punë të barabartës.

Kjo i ndihmon njerëzit të ndërmarrin veprime, nëse e drejta e tyre për pagë të barabartë nuk respektohet nga kompania e tyre.

Gjatë rekrutimit, kandidatët për punë kanë gjithashtu të drejtë të informohen për nivelet e pagave, që mund të presin në pozicionin për të cilin po aplikojnë.

Direktiva siguron gjithashtu të drejtën e tyre, për të mos u pyetur për historinë e tyre të pagave. Kjo synon të ndihmojë në kapërcimin e paragjykimeve gjinore dhe të sigurojë negociata më të barabarta për pagat.

Masat kolektive të direktivës do të kërkojnë, që organizatat me më shumë se 100 punonjës, të publikojnë boshllëqet e tyre gjinore në lidhje me pagën totale dhe shpërblimet.

Punëdhënësit do të duhet gjithashtu të zbulojnë publikisht përqindjen e punëtorëve, që marrin shpërblime sipas gjinisë, dhe përqindjen e grave në mesin e atyre me të ardhura më të larta, të mesme të larta, të mesme të ulëta dhe më të ulëta.

Punëdhënësit gjithashtu do të duhet të tregojnë hendekun e brendshëm të pagave midis gjinive, sipas kategorisë së punës.

Ky informacion mund t’i ndihmojë punëdhënësit dhe përfaqësuesit e punëtorëve, të zbulojnë paragjykimet gjinore në strukturat e pagave.

Ai gjithashtu mund t’u japë sindikatave më shumë ndikim, gjatë negociatave kolektive të pagave.

 

A do të zvogëlojë direktiva hendekun e pagave midis gjinive?

Transparenca e pagave nuk mund të adresojë të gjitha shkaqet e hendekut gjinor të pagave.

Por, mund të ndihmojë në reduktimin e asimetrisë së informacionit, duke ulur fuqinë e punëdhënësit për të përcaktuar pagat dhe duke e bërë më të lehtë për punëtorët, që të identifikojnë dhe të veprojnë kundër diskriminimit të pagave.

Dëshmitë po shtohen se masat e transparencës së pagave të ngjashme me ato në këtë direktivë, mund të ndihmojnë në uljen e hendekut të pagave.

Për shembull, një studim mbi legjislacionin danez, që kërkon raportim të brendshëm të pagave, tregoi se rritja e transparencës e uli hendekun me 13%.

Pati rezultate edhe më të mira në një studim në Mbretërinë e Bashkuar: një reduktim prej 18% në hendekun e pagave në pagën për orë, pas miratimit të legjislacionit për transparencën e pagave në 2017.

Një studim tjetër në universitetet kanadeze, vlerësoi një reduktim të hendekut të pagave midis gjinive prej rreth 20% – 40% pas zbatimit të legjislacionit.

Studimet e fundit tregojnë gjithashtu se çfarë mund t’i bëjë masat e transparencës së pagave më efektive.

Kjo përfshin bërjen publike të informacionit rreth pagave, sisteme të forta të zbatimit (për shembull, me sanksione proporcionale) dhe një shkallë të lartë të kontrollit të sindikatave.

Shumica e këtyre faktorëve mund të gjenden në direktivën e re të BE-së.

Këto rregulla të reja nuk do të trajtojnë vetëm nxitësit e hendekut të pagave midis gjinive.

Por, duke u fokusuar si në transparencën e pagave, ashtu edhe në mekanizmat e zbatimit, direktiva e re e BE-së është një hap i fuqishëm përpara, për të luftuar pabarazinë e pagave midis burrave dhe grave. / World Economic Forum

Leave a Reply

Your email address will not be published.