KANCERI I GJIRIT SËMUNDJA MË E SHPESHTË E SËMUNDJEVE KANCEROZE TE GRATË

KANCERI I GJIRIT SËMUNDJA MË E SHPESHTË E SËMUNDJEVE KANCEROZE TE GRATË

Sëmundjet e gjirit janë relativisht të shpeshta te gratë, 86 % e tyre janë beninje – (displazia, fibroadenomat, adenozat, mastitet acute e kronike) dhe 14 % apo 1 në 8 gra përfshihen gjatë jetës nga sëmundja malinje, siç është kanceri i gjirit, bën të ditur Shqiptar Demaçi, kirurg torakal.

“Kanceri i gjirit është sëmundja më e përhapur prej sëmundjeve kanceroze te gratë dhe shkaktari më i shpeshtë i vdekjes te gratë e moshës 45-50 vjeç” ka thënë mjeku shqiptar Demaçi në një intervistë për gazetën “Shneta”.

Kjo sëmundje prek edhe meshkujt, dhe si raste janë më të rrezikshme, sepse tumori kanceroz e prek shpejt muskulin e gjoksit dhe damarët limfatikë dhe metastazon më herët se te gratë.

“Faktorët shkaktues e predispozues për kancerin e gjirit janë: gjinia femërore (estrogjenet), mosha (proceset degjenerative moshore), ekspozimi ndaj rrezatimit të ulët medicinal (radiografitë; CT e evitueshme; scintigrafitë) që në kombinim me një dietë të dobët ushqimore e pimje të duhanit japin një përqindje të lartë të paraqitjes (>50 %) të saj; faktorët gjenetikë( Gjenet BRCA1 dhe BRCA2) ku kapin diku 10- 15 %; nullipariteti; duhani, alkooli; faktorët që e zbresin imunitetin gjeneral: pushimi i pamjaftueshëm, jeta jo e rregullt, mbipuna, puna natën, gjumi i pamjaftueshëm si edhe ata psikologjikë (zemërimi kronik i ndrydhur) e shumë të tjerë”, ka thënë Demaçi gjatë intervistës.

Shenjat apo simptomat kryesore të kancerit të gjirit janë: Gandrra ose kokrra (masa) që preket – tumori, që nuk dhemb zakonisht, është shenja më e shpeshtë te kanceri i gjirit, nga maja e gjirit (thithit) rrjedh sekret me ngjyrë të kuqe si gjaku, futja e majës – thithit, tërheqja e vet lëkurës së gjirit – gropëzimi ose rrudhosja e lëkurës, etj.

Për zbulimin e kancerit të gjirit me kohë ekzistojnë disa metoda si; mamogramet, ekzaminimi klinik sistematik i gjinjve dhe vetekzaminimi mujor i gjinjve.

Sa i përket trajtimit të kancerit të gjirit në Klinikën torakale në QKUK, Demaçi ka potencuar se “metodat trajtueset fillojnë nga biopsia ekscizionale ose lumpectomy, mastektomia segmentale (kuadranti) apo parciale e deri te mastekomia (heqja e gjirit ) e thjeshtë apo radikale e modifikuar”.

Përpos operimeve dhe rrugëve të tjera, në Kirurgjinë torakale bëhen edhe operacione estetike si “zvogëlim gjiri apo futje  implanti silikonik – zëvendësim i gjirit të hequr nga kancer”.

Këshillat e tij për fund janë një “jetë e rregullt, shqimi i balansuar, proteina të mjaftueshme, perime, ujë, sa më pak sheqerna e brumëra, mospimja e duhanit e alkoolit, vetëkontroll të gjinjve (por, që nuk e zëvendësojnë mjekun), vizita të rregullta klinike te mjeku kompetent (mjeku i përgjithshem i trajnuar ose te kirurgu torakal dhe vizitat e rregullta për ultratingull e mamografi”, ka thënë mjeku Demaçi.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published.