ROLI DHE KONTRIBUTI I MOTRAVE QIRIAZI NË KONGRESIN E MANASTIRIT

“Gratë dhe vajzat e sotme duhet të marrin si shembull pasionin, vullnetin, këmbënguljen, qartësinë e misionit dhe guximin e motrave Qiriazi për ta ngritur emancipimin e gruas shqiptare.”

Prof. dr. Ajten Hajdari Qamili

ROLI DHE KONTRIBUTI I MOTRAVE QIRIAZI NË KONGRESIN E MANASTIRIT

Meqenëse vetë jam një grua shqiptare, me shumë kënaqësi dhe krenari po shkruaj për motrat Qiriazi, dy motra që lanë gjurmë në histori dhe janë model për të gjitha gratë e tjera, janë pionere të arsimit shqip dhe të emancipimit të grave në një kohë kur errësira dhe prapambetja shekullore kishin lënë gjurmë të thella dhe hendeku midis veprimtarisë së burrave dhe grave ishte aq i thellë sa e bënte të pamundur pjesëmarrjen e tyre në jetën politiko-shoqërore.

Të gjithë e dimë se Parashqevi Qiriazi  ishte një grua shqiptare, e rritur dhe e edukuar në frymën e rilindësve, e diplomuar në dy universitete: në atë të Stambollit dhe në atë të Oberlinit (ShBA); ishte njohëse e mirë e shtatë gjuhëve të huaja; kryetare e shoqërisë së grave “Ylli i mëngjesit”; përfaqësuese e “Partisë Politike Kombëtare” në Konferencën e Paqes në Paris, autore e Abetares për shkollat e para etj. Ndërkaq, motra e saj Sevasti Qiriazi  ishte e para grua shqiptare që studioi në kolegjin amerikan “Robert College” në Kostandinopojë; themeluese dhe mësuese në shkollën e vashave në Korçë; ishte anëtare e komisionit për shqyrtimin e teksteve shkollore të ngritura nga shoqëria “Përparimi”; autore e Gramatikës elementare për shkollat fillore, Shkronjëtores së gjuhës shqipe; përgatiti për botim serinë e teksteve të historisë etj.

Duke marrë për bazë këtë që e thamë më sipër, mund të themi se pjesëmarrja e dy motrave Parashqevi e Sevasti Qiriazi në Kongresin e Manastirit dhe të Elbasanit, nuk ishte e rastësishme, por rrjedhojë e autoritetit të lartë që gëzonte shkollimi dhe aftësia e tyre. Deri në atë kohë, në asnjë veprimtari politike e kulturore, mbledhje a kongres kombëtar nuk kishte marrë pjesë asnjë grua. Sevastia dhe Parashqevia e përfaqësuan me dinjitet shkollën e tyre në këto forume të rëndësishme kombëtare, duke çuar përvojën e shkollës, si në aspektin organizativ, ashtu edhe në atë pedagogjik. Pa dyshim, kur flasim për Kongresin e Manastirit (1908) nuk kemi se si të mos e theksojmë rëndësinë e motrave Qiriazi, të cilat luajtën një rol të madh në organizimin dhe mbarëvajtjen e kësaj ngjarjeje historike. Si delegate e  shkollës së vajzave në Kongresin e Manastirit, Parashqevia u emërua sekretare për të zgjidhur çështjen e alfabetit shqiptar dhe të gjitha raportimet e Kongresit u shkruan nga dora e saj. Pas kësaj, ajo shkroi Abetare për shkollat e para sipas alfabetit të ri që u përpilua në Kongresin e Manastirit, kurse te “Ylli i mëngjesit” në ShBA e botoi Himnin e alfabetit shqip. Motrat Qiriazi kanë marrë pjesë edhe në ngjarje të tjera të rëndësishme dhe ishin ndër udhëheqëset e klubit kulturor shqiptar “Bashkimi” të Manastirit që merrej me propagandimin e shkollimit në gjuhën shqipe.

Nuk mund të lihet pa përmendur edhe hapi i guximshëm dhe përparimtar i Parashqevisë, kur mori pjesë në Konferencën e Paqes në vitin 1919, ku ishte e vetmja diplomate grua, midis shumë diplomatëve të tjerë burra për të mbrojtur të drejtat e kombit shqiptar dhe shkëlqeu me aktivitetin dhe sjelljen e saj diplomatike në mes burrave të shumtë. Madje, diplomacia europiane dha këtë vlerësim për të “Le të mburremi, jo vetëm ne burrat, por edhe gjithë zonjat shqiptare se zonjusha Parashqevi Qiriazi, Zhan D’Arka e Shqipërisë na nderoi të gjithëve. Asnjë komb i madh ose i vogël nuk ka sot në Paris një delegat zonjë, po Shqipëria ka këtë zonjushë, e cila me diturinë dhe mençurinë e saj dita ditës po fiton simpatinë e të huajve për fitim të Shqipërisë”.

Dy motrat Qiriazi, gjithë jetën ia kushtuan edukimit dhe emancipimit të grave shqiptare për t’i përgatitur si nëna të së nesërmes dhe shtylla të fuqishme të kombit tonë. Ato zënë një vend nderi në historinë e arsimit e kulturës shqiptare, edhe për faktin se e ngritën shkollën e tyre të vajzave në një kohë shumë të vështirë, kur në vend ekzistonte një prapambetje e madhe dhe gruaja ndodhej e shtypur, e përbuzur, e lënë në injorancë dhe padituri. Gjithashtu të dyja motrat kanë meritë edhe si krijuese ndër të vetmet gra në kohën e tyre, sepse guxuan të shkruajnë e të krijojnë botime didaktike. Edhe si politikane e diplomate ato e përfaqësuan me dinjitet lëvizjen tonë kombëtare dhe mbrojtën me guxim para diplomacisë së Fuqive të Mëdha dhe forumeve ndërkombëtare kërkesat e shqiptarëve e të drejtat legjitime të popullit tonë.

“Gratë dhe vajzat e sotme duhet të marrin si shembull pasionin, vullnetin, këmbënguljen, qartësinë e misionit dhe guximin e motrave Qiriazi për ta ngritur emancipimin e gruas shqiptare.”

 

Prof. dr. Ajten Hajdari Qamili

Fakulteti i Filologjisë “Bllazhe Koneski” – Shkup

Shkup, më 22 nëntor 2021

Artikulli është shkruar ekskluzivisht për Portalin “AJO”

Leave a Reply

Your email address will not be published.