FËMIJËT DERI NË MOSHËN 3 VJEÇARE ZHVILLOHEN MË MIRË NË SHTËPI, THONË PSIKOLOGËT.

VËSHTIRË QË PRINDËRIT MUND TË VENDOSIN SE KU DHE KUSH DO TË KUJDESET PËR FËMIJËN E TYRE KUR FILLOJNË NË PUNË.

Një përmbledhje e shkurtër e hulumtimeve të mëparshme zbuloi se në tre vitet e para, foshnjat dhe të vegjlit bëjnë më mirë në shtëpi. Kjo u sjell atyre sa më pak stres, më pak sëmundje dhe u shkakton më pak probleme të sjelljes. Megjithatë, ky opsion nuk është gjithmonë i disponueshëm për të gjithë, shkruan psikologia Donna Matthews për Psychology Today.

Studimi më i gjerë mbi këtë temë deri më sot është kryer nga Instituti Kombëtar i Shëndetit të Fëmijëve dhe Zhvillimit Njerëzor (NICHD). Duke dashur të hetojnë se si cilësia dhe sasia e kujdesit ndaj fëmijëve dhe lloji i mjedisit ndikojnë në zhvillimin afatgjatë të fëmijëve, ata filluan këtë studim në 1991 me më shumë se 1000 foshnja nga familje dhe vende të ndryshme në të gjithë Shtetet e Bashkuara. Studimi shqyrtoi shëndetin, sjelljen dhe aftësitë njohëse të fëmijëve gjatë 15 viteve të ardhshme.

Në përgjithësi hulumtimet treguan se nuk është lloji i kujdesit që ka një fëmijë, d.m.th., prindërit, kujdestarja e fëmijëve, çerdhja/kopshti i fëmijëve ose gjyshërit por natyra e përvojës dhe adaptimit të tyre në shtëpi.

Fëmijët deri në tre vjeç janë më të lumtur në shtëpi, e më pas në kopsht

“Pavarësisht nga forma e kujdesit në fëmijërinë e hershme, rezultatet optimale arrihen nga fëmijët që përjetojnë ngrohtësi, ndjeshmëri dhe llojet e duhura të stimulimit në shtëpi. Sigurisht, hulumtimet kanë shumë variante duke u bazuar në përvoja. Cilësia e mjedisit, koha e kaluar pa kujdesin prindëror dhe mosha e fëmijës të gjitha bëjnë ndryshim,” thotë Matthews.

Në mënyrë të parashikueshme, zhvillimi gjuhësor, njohës dhe social ishin më të mirë në mjedise me cilësi të lartë ku të rriturit trajnoheshin për të rritur fëmijë.

“Sastatistikisht, fëmijët që shpenzojnë më shumë se 30 orë në javë në ‘kujdes jo-matëror’ në katër vite e gjysmë të pjesës së pare të jetës kanë më shumë probleme të sjelljes (agresion dhe mungesë bashkëpunimi) si dhe më shumë sëmundje të vogla (si p.sh. sëmundjet e rrugëve të sipërme të frymëmarrjes dhe viruset e stomakut). Por ndikimi i llojit të mjedisit ndryshon me moshën. Në përgjithësi, fëmijët nën tre vjeç përjetojnë më pak stres kur kujdesen në shtëpi. Studimet e fundit tregojnë se pas kësaj parashkollorët kanë më shumë gjasa të ofrojnë mjedise me cilësi të lartë dhe staf të trajnuar mirë që çojnë në rezultatet më të mira me kalimin e kohës,” thekson Matthews.

Gjyshërit

Disa prindër janë me fat që mund të punojnë nga shtëpia ose të organizojnë turne të ndryshme me partnerin e tyre, ndaj kujdesen vetë për fëmijët. Të tjerët mbështeten te gjyshërit e fëmijëve.

Përparësitë e këtij lloji të kujdesit për fëmijët janë se ju kaloni kohë me fëmijën tuaj, bëni zgjedhjet tuaja në lidhje me edukimin dhe ushqimin e fëmijës tuaj dhe e mira është se ky regjim është falas. Sipas Magnify Money, në vitin 2019 1.5 për qind e prindërve qëndruan në shtëpi për t’u kujdesur për fëmijët dhe në vitin 2021 madje 2.4 për qind e tyre, gjë që tregon qartë se ky lloj kujdesi për fëmijët është në rritje.

Anët negative janë se përgjegjësia është vetëm e juaja dhe kjo mund të jetë sfiduese nëse nuk keni përvojë në zhvillimin e fëmijës ose të mësuarit e hershëm. Për më tepër, fokusi juaj kryesor është vetëm tek fëmija juaj, gjë që mund të jetë rraskapitëse dhe ju duhet të jeni në dispozicion 24/7 për të përmbushur të gjitha nevojat e fëmijës.

Dado/Babysitter

Nëse keni para për të përballuar një dado për fëmijën tuaj, ju keni fleksibilitet, komoditet dhe kontroll mbi kujdesin dhe zhvillimin e fëmijës tuaj sepse mund të komunikoni dëshirat, nevojat dhe stilin e prindërimit tuaj. Fëmija juaj do të marrë vëmendjen një për një dhe do të ketë qëndrueshmëri dhe rutinë dhe një orar të qartë.

E keqja është se një përkujdesje e tillë është përgjithësisht më e shtrenjta dhe fëmija do të jetë më pak i socializuar sesa nëse shkon në kopsht. Me një dado/babysitter, fëmija do të zhvillojë një lidhje të fortë me një person por do të ketë shumë më pak mundësi për zhvillim social me njerëzit e tjerë.

Kopshti i fëmijëve

Kopshtet janë të pajisura me edukatorë që do t’u mësojnë fëmijëve se si të zgjidhin në mënyrë efektive problemet dhe konfliktet, të ndajnë dhe të ushqejnë miqësi me bashkëmoshatarët e tyre. Burimet për lojë dhe edukim në kopshte janë lehtësisht të aksesueshme dhe inkurajohet zhvillimi i kreativitetit. Shumë kopshte i njohin fëmijët me shkencën, numrat, shkronjat, fjalët dhe ngjyrat, të cilat mund t’i përgatisin më mirë për shkollë.

Ajo që ndonjëherë i largon prindërit nga çerdhet është kostoja, veçanërisht nëse bëhet fjalë për një çerdhe private dhe religjioze ose biznes për kujdestarinë e fëmijëve. Gjithashtu, fëmijët janë më të ekspozuar ndaj baktereve, prandaj sëmuren më shpesh. Së fundi, aktualisht është një krizë për shkak të mungesës së vendeve në çerdhe dhe kopshte, si dhe mungesës së edukatorëve në tregun e punës.

Konkluzioni

Sipas hulumtimit të studiuar nga Matthews, përfundimi është se familja është më e rëndësishmja. Prindërit e ngrohtë, të ndjeshëm dhe të angazhuar që ofrojnë një mjedis të sigurt, të qëndrueshëm dhe stimulues janë të rëndësishëm për zhvillimin e fëmijës.

“Zgjidhja e secilës familje është unike. Hulumtimi mbështet prindërit në krijimin e qasjes më të mirë për kujdesin ndaj fëmijëve sepse ajo që është më e mira varet nga personaliteti dhe nevojat e secilit fëmijë, si dhe nga nevojat e prindërve dhe familjeve,” thotë ajo.

Psikologja inkurajon prindërit që gjithmonë të përpiqen të ofrojnë kujdes cilësor për fëmijët e tyre. Me fjalë të tjera, mund të jetë një gjysh nëse janë të ngrohtë, të ndjeshëm dhe të qetë.

“Cilësia bën një ndryshim në rezultatet sociale, njohëse, shëndetësore dhe emocionale. Deri në moshën tre vjeçare është më mirë në shtëpi. Për fëmijët, kjo do të thotë më pak stres, më pak probleme të sjelljes, shëndet më të mirë dhe më shumë kohë të kaluar me prindërit dhe familjen. Pas moshës tre vjeç, kopshti ka shumë përparësi”, thotë Matthews.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published.