SFIDA MES DËSHIRËS PERSONALE DHE IMPONIMIT TË SHOQËRISË

GRATË-VAJZAT DHE SPORTI!

SFIDA MES DËSHIRËS PERSONALE DHE IMPONIMIT TË SHOQËRISË

Semie Islami- Mia, gruaja e cila ndër vite kontribuoi, pa ndalë, me shumë vullnet por pak mbështetje në ngritjen, zhvillimin dhe emancipimin e vajzave dhe grave në rrethin ku jeton edhe pse gjatë jetës është përballur me pengesa shumë të mëdha dhe sfida të paimagjinueshme. Sot Ajo ka krijuar imazhin më të bukur të gruas në sport e cila do të mbetet në histori si një ndër shembujt më të mirë të forcës, punës, përkushtimit dhe dashurisë së pashtershme për gjeneratat e reja  në aspekt të ngritjes dhe vetëdijesimit të vajzave duke nxjerrë jashtë kornizave të paragjykimeve, si dhe duke i inkurajuar e motivuar ato në vazhdimësi, për arritjen e sukseseve.

Mia flet për kohën e vështirë kur vendosi të merret me sport. Kohën kur ishte femra e vetme që përfundoi Fakultetin për Edukatë Fizike në një rreth dhe vend shumë paragjykues për shumë çështje rreth të drejtave të grave e mos të flasim për gruan në sport. Mija thekson se edhe krahas vështirësive nëpër të cilat kaloi mbështetja e familjes i dha krahë. Por krahasuar me ditën e sotme kur gratë kanë liri shumë më të madhe, sporti mbetet akoma një fushë ku shumë duhet punuar në aspekt gjinor.

Sa ishte e vështirë atëherë të merreni me sport? Sa e vështirë është edhe në ditë të sotme të udhëheqësh një klub të fermave në sport?

Mia Islami:  ”Për mua, si për çdo vajzë tjetër të re, në kohën unë kur shpreha dëshirë të merrem me sport jeta publike, daljet në mbrëmje, aktivitetet në mjedise të kombinuara me meshkuj dhe femra ishin gjëra as që guxoje ti mendoje e lërë ti shprehësh ato. Paragjykimet e shoqërisë, tej mase konservatore dhe patriarkale të ndanin frymën çdo ditë. Më merrnin energjinë që duheshte ta fokusoja në ngritjen time profesionale dhe personale. Ato ishin demotivuese dhe mbytëse për ëndrrat e mia. Në këtë drejtim ajo që më ndihmoi jashtëzakonisht shumë është mbështetja e familjes sime, në veçanti vëllait të madh dhe nënës, të cilët më inkurajonin të vazhdoj dhe të përballem me pjesën jashtë dyerve të shtëpisë. Por jo se nuk arritën paragjykimet të kenë nga pak ndikim edhe te ne. Pasi unë nisa fillimisht të ushtroj atletikë, por orari i ushtrimeve ishte gjatë orëve të pasdites dhe në lagjen ku jetoja ishte e pamundur të lëvizte një vajzë në atë kohë. Mos të flasim një si unë që ishte aktive në sport. U detyrova nga rrethanat të ndërpres ushtrimet por kjo nuk ma ndali vullnetin të vazhdoj në këtë drejtim. “

Si vajzë shqiptare por edhe si grua në sport. Si grua në konkurrencë me burra por kryesisht të etnive të ndryshme. Si mund ti përshkruani me fjalë të gjitha këto në kohë?

Mia Islami:  “Oh. Diskriminimi fillonte nga vendi dhe këndvështrimi i qytetarëve të lagjes. Varësisht ku jetonim. Në lagjen kryesisht të banuar me shqiptarë nuk isha e pranuar si vajzë e atij komuniteti ndërsa në lagjet maqedonase as që bëhej fjalë të më integronin. Diskriminim në çdo anë. Përkundrazi edhe gjatë ciklit të studimeve nuk kisha lehtësime por vetëm vështirësi. Të rrallë ishin shokët që më ofronin mbështetje. Por nuk mungonte edhe diskriminimi në vlerësim nga ana e profesorëve. E gjithë kjo jo vetëm që të demotivonte por të dërgonte në rrugë të errëta të jetës. Pika e shpresës ishte mbështetja e familjes sime.”

Krahasuar me shumë gjenerata të cilat kaluan në duart tua a mund të më thoni a ka ecje në drejtim të ngritjes dhe vetëdijesimit për rolin dhe rëndësinë e sportit në jetën e fëmijëve?

Mia Islami:  “Ne mendojmë se ndryshimet kohore, zhvillimet e teknologjisë do të na sjellin dobi dhe shumë më lehtë do të punojmë me gjeneratat e reja por sot ka një problem tjetër. Zhvillimi teknologjik i pasivizon fëmijët dhe duhet një vetëdijesim i prindërve për ti angazhuar ata sa më shumë në sport dhe aktivitete kreative ku mund të harxhojnë energji të mjaftueshme për zhvillimin e tyre sa më të mirë mendor dhe fizik. Ndërsa për mua është një përmbushje shpirtërorë vetë dëshira e vajzave që të merren me sport. Ato kanë talent por kanë nevojë vetëm për drejtues të mirë. Unë jam e bekuar që në duar të mia kanë kaluar shumë gjenerata, prej atyre më të mbyllura e deri sot. Jam munduar tërë jetën të ndikoj në ngritjen e vetëdijes për rëndësinë e sportit te gratë dhe vajzat ”

Ai trekëndëshi prind, fëmijë mësues (sport) a është funksional sot? Sa kanë interesim prindërit të jenë pjesë e ndeshjeve dhe trajnimeve të fëmijëve?

Mia Islami:  “Mbështetja e prindërve luan një rol shumë të rëndësishëm në zhvillimin e të gjitha proceseve në këtë drejtim. Pa mbështetjen e tyre vështirë të arrihen rezultate ndërsa për fat të keq shumë pak apo hiq prindërit janë prezent gjatë ndeshjeve e mos të flas për trajnimet. Duket se gjeneratat e reja kanë shumë kapacitet por vajzat kryesisht kur orientohen në sport dhe fillojnë ta duan atë, detyrohen apo udhëzohen nga prindërit të marrin drejtime tjera. Sipas mendësisë sonë sporti nuk sjell përfitime. “

Cilat janë përfitimet nga sporti kur jemi te ato?

Mia Islami:  “Zhvillimi psikologjik dhe fizik dhe shumë përfitime tjera në aspekt shëndetësor. Ndikon dukshëm në zhvillimin e drejtë të pjesëve të trupit, mbajtja e peshës konstante. Krijimin e një rregulli në jetën e fëmijëve. Rritjen e përgjegjësisë dhe obligimeve. Respektin, edukatën, dashurinë dhe para së gjithash mirëqenien e tyre. “

Kur flasim për Klubin e Hendbollit Çair i cili kryesisht merret me trajnimin e vajzave të reja a gjetët mbështetje? A e keni mbështetjen institucionale edhe sot kur keni arrit suksese të larta?

Mia Islami:  “Edhe në këtë drejtim ndarjet janë diskriminuese edhe pse realisht ndër vite ka përparim. Por prap se prap krahasuar me sportet që udhëhiqen nga djemtë jemi larg. Neve na duhet mbështetje e përforcuar në çdo drejtim. Nga familjet, shoqëria, institucionet. Kemi nevojë për mbështetje morale e financiare. Duhet të punohet në përmirësimin e kushteve ku zhvillojmë ushtrimet dhe salla adekuate.”

Çfarë mesazhi do të dërgoni, ndonjë motivues, deri te gratë dhe vajzat tona?

Mia Islami:  Ne qëndrojmë me shpresë se forca dhe motivi brenda vetes do të përballet me sfidat e shumta por dëshira do të fitojë dhe femrat në këtë sferë do të marrin vendin e tyre meritor shumë shpejt. Pjesëmarrja sa më e shpeshtë e prindërve në trajnime apo ndeshje. Interesimi i shtuar i prindërve për të zhvilluar kapacitetet e fëmijëve. Vajzave ju duhet mbështetje nga nënat e tyre sepse ato janë shembujt më të mirë për to. Aktivizimi i grave të cilat më herët janë marrë me aktivitete sportive të ndihmojnë më shumë dhe të japin kontribut në këtë aspekt. Të gjitha këto janë çështje që shpejt duhet të tejkalohen me qëllim që vajzat të motivohen, mos të dorëzohen pasiqë kapaciteti i tyre duhet të zhvillohet dhe të shfrytëzohet talenti i tyre.”

Fatkeqësisht, sportistet edhe në ditën e sotme nuk vlerësohen po aq sa sportistët. Shpesh ato janë viktima të ngacmimeve, diskriminimit dhe në shumë raste kritikohen për shfaqjen e dëshirës së tyre që të merren me sport nga familja dhe shoqëria. Dallimet gjinore janë evidente edhe në paga, në veçanti në vendet e varfra dhe patriarkale në krahasim me vendet e zhvilluara gjë që ndikon në ngritjen apo uljen e pjesëmarrjes së grave në sport.

Klubi i hendbollit për femra-Çair është Klubi i vetëm shqiptar në Shkup e deri para disa viteve edhe i vetmi në nivel shtetëror.

GAZETARE LEUNORA KALIQI

Intervista është zhvilluar për Portalin “AJO” dhe të drejtën e shpërndarjes së të dhënave e ka autorja dhe Portali “AJO”

 

Leave a Reply

Your email address will not be published.