HIGJIENA ORALE GJATË AGJËRIMIT – BISEDË ME DR. SPEC. AMELLA CANA

Dr. spec. Amella Cana, e punësuar në Qendrën Klinike Universitare Stomatologjike “Shën Pantelejmon” në Shkup

AGJËRIMIN NUK E ANULON HIGJIENA ORALE, AJO NDIKON POZITIVISHT NË SHËNDETIN E PËRGJITHSHËM

Gjatë agjërimit pastërtia fizike, shpirtërore, mendore por edhe orale duhet të jenë parësore. Ndër vite parashtrojmë pyetje se si ti pastrojmë dhëmbët, si të veprojmë nëse kemi dhimbje dhëmbi dhe çka nëse intervenohet në raste nevoje? Anulohet agjërimi apo jo?

Higjiena e dobët orale shkakton ere të keqe nga goja, prishje të dhëmbëve si dhe sëmundje e infeksione nga mishrat e dhëmbëve, thotë Dr. spec. Amella Cana, e punësuar në Qendrën Klinike Universitare Stomatologjike “Shën Pantelejmon” në Shkup. Cana për Portalin Ajo shton se, mbajtja e një higjiene të mirë orale mund të zvogëlojë sëmundjet e dhëmbit, sëmundjet parodontale dhe të ndikojë pozitivisht në shëndetin e përgjithshëm.

AJO: Si ta mirëmbajmë higjienën orale gjatë agjërimit?

Dr. spec. Amella Cana:Gjatë agjërimit  goja thahet dhe ka gjasa të vijë era nga goja, prandaj duhet ta mirëmbajmë higjienën orale, ti pastrojmë dhëmbët, gojën, gjuhën me pastë dhe brushë, sidomos pas iftarit dhe syfyrit. Me një fjalë ta mbajmë higjienën rutinore të dhëmbëve.”

AJO: Çka lejohet për pastrimin e gojës dhe dhëmbëve gjatë orëve kur agjërohet?

Dr.spec. Amella Cana: “Agjëruesi e ka të lejuar të përdor pastën, brushën, perin dental, tretësit e ndryshëm që llogariten si antiseptik për shpëlarjen e gojës, të cilët nuk përmbajnë alkool. Ka zgjidhje të madhe në treg, por si shpëlarës antiseptik llogaritet hlorheksidini me të cilin mundet agjëruesi ta shpërlan gojën, por me kusht që mos ta gëlltisë.”

AJO: Nëse duhet ndonjë intervenim për shkak të dhimbjeve të dhëmbit në cilat raste ndërpritet agjërimi dhe çka nuk e anulon agjërimin?

Dr. spec. Amella Cana: “Nëse  pacienti ka dhimbje, atëherë mundet të vendoset medikament në dhëmbë, të mbushet dhëmbi, ndonjëherë edhe të hiqet (ekstrakcion), të bëhet pastrimi i gurit dhe pllakut dental. Të gjitha këto tretmane dentare të kryera gjatë muajit të ramazanit në asnjë mënyrë nuk e pengojnë  agjërimin, përveç asaj që pacienti duhet të ketë kujdes që ujin ta pështyjë dhe të mos e gëlltisë.”

Agjërimi ka përfitime të shumta terapeutike duke përfshirë përmirësimin e nivelit të sheqerit në gjak, presionin e gjakut, nivelin e yndyrave dhe shumë çështje tjera të rëndësishme për jetë të shëndetshme, nënvizon Dr. spec. Amella Cana.

Artikulli është punuar nga Portali Ajo dhe të drejtën e shpërndarjes e ka “Ajo” dhe bashkëbiseduesja.

Leave a Reply

Your email address will not be published.