NGA NDRYSHIMET KLIMATIKE RREZIKOJNË TË ZHDUKEN DISA PRODUKTE USHQIMORE

NGA NDRYSHIMET KLIMATIKE RREZIKOJNË TË ZHDUKEN DISA PRODUKTE USHQIMORE

Sipas një raporti të Bankës Botërore, ndryshimet klimatike do të ndikojnë që deri në vitin 2050 prodhimi i rrushit të këtë një rënie prej 20 %, ndërsa prodhimi i ullinjve një rënie prej 21%. Në listën e produkteve që rrezikojnë të zhduken për shkak të ndryshimeve klimatike janë edhe shumë produkte të tjera si: kafeja, çokollata, mollët, orizi, fasulet, apo prodhimet e detit.

KAFEJA

Rreth 8.5 milionë tonë kafe prodhohen në 60 shtete në pothuajse çdo kontinent. Gjysëm trillion tonë kokrra kafeje konsumohen çdo vit. Por njerëzit përqark globit duhet të fillojnë të gjejnë një mënyrë alternative për ta nisur ditën. Së fundmi një kërpudhë helmuese e quajtur “Sëmundja e kafesë” (coffee rust) ka përfshirë Amerikën qendrore duke ndërprerë prodhimin e kafesë dhe duke ndikuar seriozisht në ekonomitë lokale. Ekspertët besojnë se përhapja e sëmundjes është shkaktuar nga rritja e temperaturës pasojë kjo e ngrohjes globale. Plantacionet e kokrrave të kafesë në bregun Kona të Ishullit të Madh të Hawai po shkatërrohen nga një tjetër insekt i quajtur Turjela e kokrrave (coffee berry borer) për të cilën studiuesit thonë se pritet të shndërrohet në një kërcënim edhe më të madh si pasojë e ndryshimeve klimatike. Edhe në Afrikë studiuesit parashikojnë që numri i rajoneve që tregtojnë kafe do të bjerë mes 65-100% ndërkohë që temperaturat në sipërfaqe rriten.

ÇOKOLLATA

Një mesatare prej një miliard njerëzish konsumon çokollatë çdo ditë. Një Evropian konsumon rreth 7 kilogram çokollatë në vit. Por topografia e Ganës dhe Bregut të Fildishtë ku prodhohet më shumë se gjysma e sasisë botërore e farave të kakaos, do të jetë shumë më ndryshe deri në vitin 2050, aq sa do të ndikohet ndjeshëm prodhimi. Sasia optimale aktuale për prodhimin e kakaos është nga 100 deri në 255 metra mbi nivelin e detit. Por sipas një studimi shqetësues të vitit 2011 konstatohet që kjo lartësi e duhur do të rritet me 450-500 metra mbi nivelin e detit. Raporti thotë se mund të ketë rënie në sasitë e prodhuara të kakaos deri në vitin 2030. Përtej ndikimit në konsumin e drejtpërdrejtë të çokollatës, ndikimi tjetër ka të bëjë me fermerët të cilët të ardhurat e tyre i kanë të bazuara në tregtimin e kakaos.

MOLLËT

Në vitin 2011 një ekip studiuesish ndërkombëtar publikuan një studim nëpërmjet të cilit zbuluan që: Temperaturat e nevojshme që pemët e frutave dhe ato të arrave, të cilat kanë nevojë për një periudhë të caktuar të klimës së ftohtë, mund të ndikohen nga ngrohja globale me rritjen e temperaturave në dimër. Në studim gjithashtu sugjerohet që fermerët të përgatiten për një të ardhme më të ngrohtë ndaj u duhet të kultivojnë varietete që nuk kërkojnë klimë të ftohtë. Mollët, veçanërisht varieteti Fuxhi do të kenë një shije shumë më të ndryshme nga mollët që konsumojmë sot sipas një studimi Japonez i cili zbuloi se temperaturat në rritje po shkaktojnë çeljen e shpejtë të frutave të pemëve të mollëve duke i bërë këto të fundit më të buta dhe të ëmbla. “Nëse do të mund të konsumonit një mollë të vjelë rreth 30 vite më parë dhe një mollë të vjelë së fundmi në të njëjtat periudha do të kuptonit ndryshimet,” thuhet në këtë studim.

VERA

Në rast se nuk e mbajmë konstant rritjen e temperaturave të sipërfaqes së tokës në një maksimum prej 2 gradë Celsius (madje vendimi i fundit i Konferencës së Klimës Paris flet për 1.5 gradë) për të parandaluar ndikimet më negative të ndryshimeve klimatike, lëngu i fermentuar i rrushit nga rajonet tradicionale të prodhimit të verës mundet që një ditë të shndërrohet në një gojëdhënë të së shkuarës. Vreshtat janë shumë të ndjeshme ndaj ambientit rrethues: Variacioni i rendimentit nga sezoni në sezon është më shumë se 32%. Dhe me temperaturat që rriten vazhdimisht kultura që prodhon verën po ndryshon. Ndryshimet janë në rrugën e tyre tashmë në Francë, një nga prodhuesit më të mëdhenj të verës në botë.

ORIZI

Orizi është një produkt shumë i përdorur për pothuajse gjysmën e popullsisë në të gjithë botën. Por luhatjet klimatike mund të ndikojnë ndjeshëm në rendimentin e prodhimit të orizit përgjatë këtij shekulli. Bazuar në një raport të OKB-së për Bujqësinë dhe Ushqimin, “rritjet e temperaturave, rritja e niveleve të oqeaneve, dhe ndryshimet në sasitë e reshjeve të pritura si pasojë e ngrohjes globale mund të çojnë drejt ndryshimeve thelbësore në burimet tokësore dhe ujore që shërbejnë në prodhimin dhe produktivitetin e orizit.”

FASULET

Edhe fasulet mund të pësojnë rënie në prodhim për shkak të ngrohjes globale. Sipas një raporti nga Qendra Ndërkombëtare për Bujqësinë Tropikale temperaturat më të larta mund të ulin rendimentin e fasuleve me rreth 25%. Fasulet janë shumë të ndjeshme ndaj nxehtësisë dhe varietetet që po prodhojnë fermerët aktualisht nuk japin shumë rendiment në një periudhë kur netët kanë një temperaturë 18 ose 19 gradë. Fatmirësisht studiuesit kanë identifikuar rreth 30 lloje të fasuleve që kanë tolerancë ndaj temperaturave rreth 4 gradë më të larta se normalja.

PRODHIMET E DETIT

Një nga efektet më dramatike të ndryshimeve klimatike është aciditeti i oqeanit, një rritje e pehashit, ose përqendrimi i jonit hidrogjen të oqeaneve duke e rritur aciditetin e ujit. Ky efekt shkaktohet nga thithja e dioksidit të karbonit atmosferik nga oqeanet, gaz ky që çlirohet nga djegja e karburanteve dhe e pyjeve. Kjo rritje e Ph është shumë e dëmshme për gjallesa si koralet, gaforret dhe karkalecat dhe molusqet si kërmijtë apo midhjet për shkak të kalciumit që u nevojitet për të formuar guaskat e tyre dhe për rrjedhojë mbijetesën. Studiuesit gjithashtu besojnë se salmoni rozë, një nga speciet më në masë të Paqësorit do të jetë viktima e parë e ndryshimeve klimatike duke qenë se ky lloj i peshkut nuk mund të mbijetojë në ujëra me aciditet të lartë. Aciditeti i oqeaneve nuk është i vetmi kërcënim ndaj peshqve. Sipas një studimi, temperaturat e larta do të çlirojnë gjithnjë e më shumë elementët e plastikës që hidhen në dete e oqeane, duke kërcënuar mbijetesën e një shumëllojshmërie speciesh të ujërave si trofta, barbuni dhe krapi.

Leave a Reply

Your email address will not be published.