SHTETI TË SIGUROJË SKRININGUN E KANCERIT NË QAFË TË MITRËS PËR ULJEN E VDEKSHMËRISË TE GRATË-ESE

SHTETI TË SIGUROJË SKRININGUN E KANCERIT NË QAFË TË MITRËS PËR ULJEN E VDEKSHMËRISË TE GRATË-ESE

Shteti duhet të sigurojë skriningun e kancerit të qafës së mitrës thonë nga Shoqata për Emancipim, Solidaritet dhe Barazi të Grave – ESE ndërsa me këtë do të ulet vdekshmëria e 80% të grave të moshës 24 deri në 60 vjeç.

Vetëm në Maqedoni në vitin 2017 kanë humbur 574 vite jetë të grave dhe vajzave për shkak të vdekjes së parakohshme nga kanceri i qafës së mitrës, tregojnë rezultatet e analizës së Shoqatës ESE.

“Për shkak të diagnostikimit të hershëm të kësaj sëmundjeje, Fondi për Sigurim Shëndetësor në vit shpenzon së paku 29 milionë denarë për trajtimin e grave te të cilat kanceri zbulohet në fazë të avancuar. Gratë të cilat diagnostikohen me këtë sëmundje në fazë të avancuar shpenzojnë së paku 11 milionë denarë në vit, për shpenzime lidhur me sëmundjen”, thuhet në komunikatën e ESE-së.

Nga Shoqata thonë se shpenzimet vjetore të shtetit dhe grave me kancer të qafës së mitrës janë të vlerësuara në minimum 39 milionë denarë. Për të reduktuar vdekshmërinë dhe për të ulur kostot nga nga kjo sëmundje, ESE bën thirrje që shteti të sigurojë mbulim të shpenzimeve skriningut të kancerit në qafë të mitrës për 80 për qind të grave të moshës 24 deri në 60 vjeç.

“Për të arritur përfshirjen e kërkuar, kërkojmë nga shteti që për këtë qëllim të ndajë 168.728.100 denarë për një periudhë trevjeçare ose mesatarisht 56.242.700 denarë në vit. Këto fonde dhe ekzaminimi i vazhdueshëm do të parandalojnë vdekshmërinë e parakohshme dhe do të përmirësojnë cilësinë e jetës tek gratë. Njëkohësisht do të shmangen edhe shpenzimet që përballon shteti dhe gratë, të cilat janë pasojë e zbulimit të parakohshëm të kësaj sëmundjeje”, shtojnë nga ESE.

Nga Shoqata për Emancipim, Solidaritet dhe Barazi të Grave thonë se qëllimi i kësaj analize është të përcaktojë ndikimin e kancerit të qafës së mitrës të zbuluar në një fazë më të avancuar në jetën e grave dhe në kostot që lidhen me diagnostikimin, trajtimin dhe kujdesin paliativ të sëmundjes nga na a e shtetit dhe nga gratë.

Analiza e titulluar “Cila është kostoja e të mos pasurit skrining të kancerit të qafës së mitrës?” tregon me rritjen e mjeteve financiare ky program do të shpëtojë, do të zgjasë jetën e grave dhe do të përmirësojë cilësinë e jetës së grave. Njëkohësisht gratë dhe shteti do të kursejnë burime financiare.

Programi për skrining të kancerit të qafës së mitrës zbatohet në Maqedoninë e Veriut që nga viti 2012 por edhe pas 10 viteve nuk mbulohen shumë gra me këtë program, thonë nga ESE. Sipas tyre, kjo vjen si pasojë e disa faktorëve, duke përfshirë financimin e pamjaftueshëm, koordinimin joadekuat ndërmjet ekzekutuesve të ndryshëm të programit, si dhe mungesën e monitorimit adekuat për zbatimin e tij. Ata përkujtojnë se për këtë problem ka reaguar edhe Komisioni Evropian.

Kanceri i qafës së mitrës është kanceri i katërt më i zakonshëm tek gratë. Si pasojë e kancerit të qafës së mitrës në mbarë botën vdesin më shumë se 300 000 gra ose thënë ndryshe kjo sëmundje merr nga një viktimë në çdo 2 minuta. Kanceri i qafës së mitrës zë vendin e katërt si kancer më i shpeshtë tek gratë, me rreth  570 000 raste të reja në vitin 2018 .

Janari është muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e qafës së mitrës./Ajo.mk

Leave a Reply

Your email address will not be published.