NË RMV NUK ËSHTË REGJISTRUAR AS NJË REFUGJAT NGA UKRAINA

NË RMV NUK ËSHTË REGJISTRUAR AS NJË REFUGJAT NGA UKRAINA

Maqedonia e Veriut nuk pret valë të madhe refugjatësh nga Ukraina, por Qeveria thotë se vendi është i gatshëm për valë të mundshme të refugjatëve nëse situate atje vazhdon të përkeqësohet. Ministri i jashtëm Bujar Osmani ka thënë se tani për tani nuk ka numër të rritur të shtetasve ukrainas të cilët kanë hyrë në vend, ndërsa edhe ata që kanë hyrë asnjëri nuk ka kërkuar status të refugjatit.

“Ka hyrje të qytetarëve ukrainas, por nuk ka dinamikë më të madhe se që ka pasur para luftës. Ato janë hyrje normale të njerëzve për nga numri jo më të mëdha se të mëparshmet. Nuk kemi rast të tillë dikush të ketë kërkuar status të refugjatit, por duhet të jemi të gatshëm për atë”, tha Osmani.

Ai potencoi se nuk do të refuzojmë asnjë refugjatë ukrainas që do të arrijë në kufi. Ndërkohë, Qeveria mbrëmë e shqyrtoi dhe miratoi Informacionin për kapacitetet akomoduese potenciale të organeve shtetërore për pranimin e personave nga kriza e refugjatëve të shkaktuar nga veprimet ushtarake në Ukrainë. Qeveria i obligoi MPJ-në, Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale, Ministrisë e Punëve të Brendshme, Ministrinë e Shëndetësisë, Ministrinë e Financave dhe Sekretariatin e përgjithshëm të Qeverisë t’i vazhdojnë aktivitetet lidhur me konfirmimin e kapaciteteve për akomodim dhe t’i përgatisin të gjitha aktivitetet për pranim dhe kujdesje të organizuar të personave që arrijnë në vend si rezultat i krizës së refugjatëve për shkak të luftës në Ukrainë. Sot është nënshkruar edhe memorandumi mes Ministrisë së Punëve të Jashtme, Kryqit të Kuq dhe Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore për të grumbulluar ndihma për refugjatët ukrainas.

Ministri Bujar Osmani deklaroi “se mbi 3 milionë njerëz e kanë lëshuar Ukrainën dhe këta njerëz kanë nevojë më shumë se kurrë për ndihmë, sepse u duhet ujë e bukë”. Ai apeloi që qytetarët të dhurojnë ndihma, me çka njoftoi se për të ndihmuar janë paraqitur edhe disa kompani. Numri i ukrainasve të cilët u larguan në vendet fqinje arrin në tre milion njerëz, njoftoi UNHCR.

Leave a Reply

Your email address will not be published.