POZITA SHOQËRORE E GRUAS NË REPUBLIKËN E MAQEDONISË SË VERIUT

Doc. Dr. Kaltrina Zekolli Shaqiri

“Ndërsa të metat e grave i kanë edhe burrat, meritat që kanë gratë janë të posaçme për to”

Sami Frashëri

POZITA SHOQËRORE E GRUAS NË REPUBLIKËN E MAQEDONISË SË VERIUT

Me një vështrim shumë sipërfaqësor dhe në bazë të observime që herë herë i bëjmë me subjekte të ndryshme, kryesisht në mesin e të rinjve të shkolluar, në fushën e të drejtave të grave dhe të pozitës së tyre në shoqëri, për fat të keq, konstatojmë se niveli i përfaqësimit të tyre të drejtë, jo vetëm në isntitucionet e ndryshme publike e të tjera, por edhe të përfshirjes së tyre në organet vendimmarrëse, nuk është i kënaqshëm. Kjo, shikuar nga aspekti përfaqësues “publik” është temë debatesh të shumta, jo vetëm shkencore por edhe shoqërore, posaçërisht atëherë kur subjekte të caktuara politike kanë nevojë për propagandimin e të drejtave të grave dhe nivelin e përfaqësimit të tyre në organet shoqërore e politike, duke ndikuar dukshëm në prezentimin e shtrembëruar të pozirës së tyre të vërtetë në shoqëri. Kjo dukuri bëhet edhe më e dhimbshme atëherë kur, në bazë të studimeve të bëra del se ky perceptim dhe kjo përshtypje nuk del se është më e mirë edhe “jashtë institucioneve”, do të thotë brenda familjes. Pozita e gruas bashkëkohore brenda familjes, në disa shtresa të shoqërisë sonë, ka tendenca të degradimit dhe kthimit të gjendjes së mëparshme, duke promovuar dhe aplikuar metodat tanimë konservative dhe të pranueshme të standardeve patriarkale të rregullimit të marrëdhënieve brenda familjes. Kështu, nuk janë të rralla rastet kur, edhe në mjedise intelektuale dëgjojmë mendime për ndarje të obligimeve, detyrimeve e punëve tjera si “të grave” ose “të burrave”.

Gjithsesi, gratë në këtë mjedis dalin gjithmonë të diskriminuara dhe të zhvleftësuara. Gratë, si gjithmonë, duhet të kujdesen për shtëpinë, për pastërtinë, gatimet, kujdesi ndaj fëmijëve, kujdesi ndaj të moshuarëve në familje etj. Nuk mund të nënvlerësohen angazhimet shtesë të gjinisë tjetër, kohëve të fundit, posaçërisht në nivele më të larta intelektuale, rreth punëve të shtëpisë. Por, ky angazhim, nga vet fakti se apostrofohet si përparim, nuk përceptohet tutje si detyrim i barabartë por si një lloj kompromisi i arritur.

Megjithatë, janë disa faktorë të cilët jo gjithmonë lejojnë që gjërat të shikohen bardhë e zi. Ndryshimet radikale të cilat dy deri tri dekadat e fundit kanë ndodh kudo në botë, përfshirë këtu edhe mjediset ku ne jetojmë dhe veprojmë, kanë bërë që edhe disa prej paragjykimeve nga e kaluara të zhduken, ndërsa vet gratë, falë këtyre ndryshimeve kanë arrit që të drejtat e tyre, jo vetëm t’i kërkojnë prej të tjerëve por që vetvetiu, në bazë të aftësive të tyre intelektuale e organizative, të krijojnë rrethana e kushte për t’i realizuar. Në rradhë të parë këtu bie pavarësimi i tyre, nga aspekti material nga burri, si faktori kyç i cili ka ndikuar që ato të tregojnë guxim dhe të marrin iniciativa të cilat pozitën e tyre në shoqëri dhe në familje t’a barazojnë me burrin, ndërsa në shumë raste edhe t’a tejkalojnë. Zhvillimi më i hovshëm ekonomik, liria e lëvizjes, zhvillimi i teknologjive të reja dhe rrjetet sociale janë vetëm disa prej faktorëve të cilët kanë ndikuar në pavarësimin e gruas në shoqëri, në zhdukjen e paragjykimeve dhe në inkurajimin e gruas që të ndërmarr veprime të cilat këtë pozitë të saj e avansojnë.

Ndryshimet e dekadave të fundit, këtë çështje e kanë bërë të debatueshme dhe e kanë bërë mjaft të ndjeshme. Është e ndjeshme se cfarëdo konstatimesh të sjellim dhe cfarëdo vendimesh të marrim lidhur me pozitën e grave në shoqëri, të gjitha mund të jenë relative dhe mbase edhe të kontestueshme. Kjo nga fakti se me të gjitha avansimet e gruas në shoqëri, me të gjitha të drejtat të cilat i gëzon falë aftësive të saj intelektuale e njerëzore, megjithatë mbetet edhe fakti tjetër se si qenie njerëzore me kapacitete intelektuale të njejta si edhe vet meshkujt, ajo, falë specifikave tjera që ia ka falë natyra, është qenie e ndjeshme dhe rrjedhimisht ngarkesa e saj edhe fizike edhe emocionale e bënë atë të vecantë. Kjo veçanti e gruas, si nënë, si bashkëshorte dhe si pjesë e cila kontribuon në familje e shoqëri me punën e saj, nuk duhet shikuar si diskriminuese dhe as si cilësi që e vë atë në një pozitë të pa favorshme në raport me meshkujt. Përkundrazi, ajo del si një qenie më e fortë, më e qëndrueshme në vendimet e saj dhe më e organizuar se të tjerët.

Pyetja e cila shpesh herë shtrohet para një shoqërie të emanciuar është se sa kjo shoqëri është e gatshme që dallimet gjinore t’i shikojë si realitet i domosdoshëm që vet shoqërinë njerëzore e fisnikëron dhe e pasuron nga aspekti edhe moral edhe shoqëror por edhe biologjik. Nga ana tjetër, edhe vet gratë duhet të ndërgjegjësohen për veçantinë që natyrshëm e kanë. Pastaj mbase edhe të reflektojnë për kërkesat të cilat herë herë i parashtrojnë, gjithmonë duke dhënë edhe një përgjigje a thua vallë e dijnë gjithmonë cfarë kërkojnë prej pjesës tjetër të shoqërisë dhe a thua janë të gatshme që këto kërkesa pastaj t’i realizojnë? Sepse, egziston një mendim, i shprehur hapur në shumë forume dhe debate tjera se, duke kërkuar të drejtat e tyre gratë vec sa i kanë shtuar vetes edhe obligime tjera shtesë të cilat janë barrë për to.

Në këtë kontekst shtrohet edhe pyetja tjetër: a janë angazhuar gratë mjaftueshmë për liritë dhe të drjetat e tyre dhe nëse po, a thua vallë kjo “luftë” ka sjell rezultate duke i pozicionuar në pozita të barabarta me burrat? Apo mbase duke synuar ndarjen e punëve dhe të përgjegjësive, vet grave iu janë shtuar edhe punë e obligime shtesë? Nëse këto angazhime do të karakterizohen si të sukseshsme, a do të thotë kjo se edhe në kuzhinë gruaja duhet në mënyrë të barabartë të zëvendësohet prej burrit? Nëse do të cilësohen si të barabarta, a do të thotë kjo se gruaja mund të jetë jo vetëm një udhëheqëse e mire, por edhe më e mirë se shumë burra? Të gjitha këto dilema tanimë janë qartësuar me vet faktin se historikisht njihen rastet kur gratë janë treguar jo vetëm amvise shumë të mira por edhe eksperte e udhëheqëse të suksesshme në të gjitha fushat e nivelet e jetës së organizuar ekonomike, shoqërore, politike etj.

Kjo nuk do të thotë se gratë sot i gëzojnë të gjitha mundësitë për t’u promovuar e dëshmuar, ndërsa mundësitë, mënyrat dhe rrugët që burrat të arrijnë këto nivele janë më të lehta dhe më të thjeshta.

Dilemat e parashtruara më lartë janë të arsyeshme dhe shqetësuese, ngase gratë janë një pjesë e shoqërisë pa të cilat shikuar nga aspekti edhe biologjik edhe shoqëror, nuk mund të funksionojë asgjë. Në këtë mënyrë kuptojmë se gratë në të vrtetë ruajnë balanset shoqërore dhe ndikojnë që këto raporte jo vetëm të avansojnë, por që gjatë zhvillimeve shoqërore ato të jenë më fisnikëruese dhe që e bëjnë vet jetën e njerëzimit më të mirë dhe me të bukur.

Si dukuri më negative të cilës nuk po i kushtohet kujdesi i duhur është dhuna ndaj grave që tregon hapur pabarazinë gjinore në shoqërinë tonë. Është kjo dukuri e cila ndikon në zhvillimin intelektual të grave, ndërsa pasojat, përveç tyre gjithsesi i ndiejnë fëmijët, pasoja këto të cilat ata do t’i përcjellin gjatë gjithë jetës. Nuk janë të nevojshme studime shkencore e hulumtime tjera për të konstatuar dukuri të tilla negative. Mjafton të lundrojmë nëpër rrjetet sociale. Çdo ditë e më shumë lexojmë për dhunime, rrahje, vrasje, e poshtërime të grave të ushtruara prej anëtarëve të familjes apo të rrethit të ngushtë shoqëror. Së këndejmi, përfshirja e grave në të gjitha veprimtaritë shoqërore, emërimi i tyre në vende udhëheqëse, miratimi i rregullativave ligjore që e trajtojnë këtë çështje apo zbatimi i ligjeve në fuqi, mund të sjellë deri te përmirësimi i pozitës së gruas në shoqëri ndërsa do të ndikojë edhe në zhvillimin më të hovshëm shoqëror të vendit. Që të arrihen këto parametra, duhet një angazhim më i madh i të gjithë faktorëve relevant të një shoqërie, duke filluar prej niveleve më të larta deri te organet udhëheqëse, mediumet, shoqëria civile etj.

Në një shoqëri me demokraci të konsoliduar dhe me tradita të mirëfillta qytetëruese, shumë herët e kanë kuptuar se gratë janë ato të cilat mund të sjellin ndryshimin për të mirë në një shoqëri, poqëse ato vet trajtohen me respekt nga të gjithë. Ato me aftësitë e tyre që kanë, specifikat e natyrshme si nënë e bashkëshorte, me idetë fine të cilat i reflektojnë, do të shndërrohen në stimulues dhe katalizator të zhvillimeve më të hovshme të shoqërisë.

Është dëshmuar tashmë se lufta për çrrënjosjen e dhunës ndaj grave bëhet nëpërmjet emancipimit të shoqërisë, senzibilizimit për ndërgjegjësimin e faktorëve shoqëror të obliguar për pengimin e dhunës ndaj grave, veprimit të institucioneve për ruajtjen e rendit publik. Njëri prej segmenteve më të rëndësishëm, më efikas dhe më të shpejtë për senzibilizimin e shoqërisë për nevojën e pengimit të ushtrimit të dhunës dhe detyrimit të ndëshkimit e sanksionimit të atyre që ushtroijnë dhunë ndaj grave, janë mediumet. Nëpërmjet mediumeve, mund të ndikohet në propagandimin e kësaj dukuri dhe cilësimin e saj sit ë dëmshme ndërsa te organet e rendit të bëhet presion për të ndëshkuar keqbërësit. Nëprmjet të debateve me sociolog, psikolog, figura me ndikim publik dhe nëpërmjet të mënyrave tjera të veprimit në masë, arrihet më shpejtë deri te senzibilizimi i shoqërisë dhe i institucioneve për nevojën e një organizimi të mirëfilltë institucional dhe shoqëror për nevojën e zhdukjes së kufijve dallues në baza gjinore dhe sidomos për zhdukjen e çfarëdo forme të dhunës në shoqëri, posaçërisht ndaj grave./Ajo.mk

Artikulli shkencor është i punuar enkas për Portalin elktronik AJO dhe të drejtën e shpërndarjes e mbajnë autorja dhe Portali AJO.

Leave a Reply

Your email address will not be published.