ËSHTË E RREZIKSHME TË MENDOJMË SE PANDEMISË PO I VJEN FUNDI-OBSH

 

Tedros Adhanom Gebrejesus

Kushtet për zhvillimin e llojeve të reja të virusit korona janë ende ideale dhe është e rrezikshme të mendojmë se Omicron është i fundit ose që pandemisë po i vjen fundi, nënvizon drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH)”, Tedros Adhanom Gebrejesus.

Në takimin e bordit ekzekutiv të OBSH-së,  Gebrejesus tha se faza akute e pandemisë mund të ndalet këtë vit vetëm nëse arrihen disa synime kyçe duke shtuar se kjo “duhet të jetë prioritet kolektiv”.

Ai shtoi se fundi i pandemisë globale të shkaktuar nga virusi korona do të ishte realizuar këtë vit me vaksinimin e 70 përqind të popullsisë në çdo vend deri në mesin e vitit 2022, duke u fokusuar në grupet e rrezikuara dhe vendet e varfëra,me këtë edhe përmirësimin e gjurmimit të virusit.

“Është e vërtetë që në të ardhmen e afërt do të jetojmë me Kovidin dhe se do të duhet të mësojmë ta kontrollojmë atë përmes një sistemi të qëndrueshëm dhe të integruar për sëmundjet akute të frymëmarrjes për t’u përgatitur për pandemitë e ardhshme. Por të mësosh të jetosh me të nuk do të thotë të pranosh gati 50,000 vdekje në javë nga një sëmundje që mund të parandalohet dhe trajtohet”, shton ai.

Gjithashtu bëri thirrje për forcimin e OBSH-së dhe rritjen e fondeve për organizatën për të luftuar me sukses krizën shëndetësore në vende të ndryshme.

Leave a Reply

Your email address will not be published.