FËMIJËT GJITHNJË E MË SHUMË JANË VIKTIMA TË TRAFIKIMIT ME QENIE NJERËZORE

FËMIJËT GJITHNJË E MË SHUMË JANË VIKTIMA TË TRAFIKIMIT ME QENIE NJERËZORE

Viktima më e re e trafikimit të qenieve njerëzore në Maqedoninë e Veriut është vetëm dhjetë vjeç. Rasti u zbulua dy vite më parë, por nuk është shembulli i vetëm ku fëmijët janë bërë pre e lehtë për kriminelët. Ministria e Brendshme që nga fillimi i vitit ka evidentuar tetë raste të trafikimit të qenieve njerëzore, shtatë prej të cilave të mitur. Gjashtë fëmijë – viktima të trafikimit të qenieve njerëzore – kujdesen në një qendër strehimi. 

“Kriminelët synojnë grupin që përdor më së shumti internetin dhe janë më pak të informuar për rreziqet që fshihen. Një fëmijë tashmë është zbuluar si viktimë e trafikimit të qenieve njerëzore përmes komunikimit online”, thotë Magdalena Nestorovska, sekretare shtetërore në Ministrinë e Punëve të Brendshme. 

Sipas njohurive të “Porta e hapur” (La Strada) “Numri më i madh i viktimave të identifikuara janë fëmijë, dhe kufiri i moshës është vazhdimisht në rënie. “Ndryshe nga dhjetë vjet më parë, kur viktimat ishin mbi 16 vjeç, tani viktima janë gjithnjë e më shumë fëmijë të moshës 10 deri në 17 vjeç e lart”, theksojnë nga La Strada. 

Kohët moderne, përdorimi i internetit dhe teknologjisë, i ekspozojnë fëmijët gjithnjë e më shumë ndaj rreziqeve. Sidomos gjatë pandemisë Covid, ata u bënë më të prekshëm dhe shpenzonin gjithnjë e më shumë kohë pas një kompjuteri. Nëpërmjet përdorimit të rrjeteve sociale ata vazhdimisht vijnë në kontakt me persona të njohur dhe të panjohur.

“Për këtë arsye, të udhëhequr nga rasti “Dhoma Publike”, por edhe rasti i trafikimit të qenieve njerëzore përmes internetit dhe shfrytëzimit të tij online, ne kryem një hulumtim që tregoi të dhëna befasuese”, thonë nga La Strada, bën të ditur D.W. 

Gjetjet tregojnë se fëmijët shpesh kanë shumë llogari në rrjetet sociale, shpesh ndodh që dy fëmijë përdorin të njëjtën llogari, por ajo që është shqetësuese për autoritetet është se një pjesë e madhe e tyre kanë rënë në kontakt me persona të panjohur, e më pas kanë kontaktuar fizikisht me ta, gjë që i vë në rrezik. Kjo është arsyeja pse prindërve u kërkohet të ushtrojnë më shumë kontroll mbi atë që bëjnë fëmijët në internet, cilat platforma përdorin dhe cilat kontakte bëjnë. 

Fëmijët janë një kategori e cenueshme, ata shpesh manipulohen, detyrohen dhe kërcënohen të bëjnë video të pahijshme që transmetohen drejtpërdrejt ose shpërndahen në platforma ose midis përdoruesve dhe shpesh shpërndahen mes vetë fëmijëve. 

Trafikantët e qenieve njerëzore tashmë kryejnë një pjesë të madhe të aktiviteteve të tyre kriminale në internet. Nëpërmjet komunikimit online, ata ofrojnë një anonimitet më të madh dhe e kanë më të lehtë kryerjen e krimit, për këtë arsye orientohen gjithnjë e më shumë drejt rrjeteve sociale të njohura për të rekrutuar viktima dhe më pas për t’i kontrolluar ato. Shqetësuese është se ka mungesë të vetëdijes tek viktimat se sa lehtë mund të bien pre e mediave sociale.

Departamenti Amerikan i Shtetit në raportin e fundit për trafikimin e qenieve njerëzore në botë, i cili i referohet situatës në vitin 2021, theksoi se qeveria maqedonase nuk i përmbush plotësisht standardet minimale për ndalimin e trafikimit të qenieve njerëzore , por se po bëjnë përpjekje të konsiderueshme në atë drejtim. U rekomanduan hetime dhe dënime më të rrepta për trafikantët, si dhe mos anashkalimi i zyrtarëve të dyshuar për bashkëpunim.

Leave a Reply

Your email address will not be published.