NË RMV 19 MIJË ANALFABETË DHE 190 MIJË TË PA PUNË SHUMICA JANË GRA

NË RMV 19 MIJË ANALFABETË DHE 190 MIJË TË PA PUNË SHUMICA JANË GRA

Maqedonia e Veriut numëron rreth 19 mijë analfabetë të cilët nuk dinë as shkrim dhe as lexim. ESHS, bën të ditur se në regjistrimin e fundit janë regjistruar 18.897 ose 1.2% analfabetë. Në mesin e analfabetëve janë 5.517 burra dhe 13.380 janë gra.

Arsyet e analfabetizmit zakonisht lidhen me faktorët ekonomik dhe social, si dhe me traditën e shkollimit.

“Po thuajse në të gjithë botën shkaqet ose arsyet e analfabetizmit janë po thuajse të njëjta. Këtu zakonisht lidhen me faktorët ekonomik, me faktorët social, demografik me nivelin kulturor si dhe me traditën e shkollimit”, thot profesori universitar Asllan Hamiti.

SIpas tij analfabetizmi më i theksuar është tek komuniteti i margjinalizuar.

“Në përgjithësi thuajse analfabetizmi është përhapur në të gjitha mjediset. Më i theksuar mendoj se është në ato vende ose te ai komunitet i margjinalizuar në përgjithësi ose te ato vende ku zhvillimi ekonomik  është më i ulët. Në përgjithësi ato njerëz të cilët materialisht nuk janë mirë. Nuk kanë kohë të mendojnë për shkollimin e tyre dhe të fëmijëve të tyre, por ata duhet të merren me punët e mbijetesës së tyre”, theksoi Hamiti.

Personat e pa arsimuar vështirë vijnë deri te një vend pune. Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave, rreth 190 mijë persona në Maqedoninë e Veriut nga mosha 25 deri në 54 vjeç nuk janë të punësuar, as nuk kërkojnë punë, përkatësisht klasifikohen si popullatë joaktive. Sipas të dhënave të fundit të statistikave shtetërore, që janë të vitit 2021, janë ende 130 mijë persona të tillë të moshës 55 deri në 64 vjeç dhe mbi 20 mijë nën moshën 24 vjeç, të cilët nuk janë nxënës apo studentë.

Janë gjithsej 340 mijë persona më të rinj se 64 vjeç, të cilët nuk janë të përfshirë në tregun e punës, pra nuk kanë punësim, por as që kërkojnë punë.

Të dhënat zyrtare tregojnë se përveç rreth 120 mijë të papunëve, janë trefishuar ata që nuk kërkojnë fare punë.

Megjithatë, ka vlerësime se shifrat zyrtare në Maqedoninë e Veriut janë të ekzagjeruara, pasi që janë me dhjetëra mijëra njerëz që punojnë sezonalisht jashtë vendit, ndërsa në vend konsiderohen joaktivë. Të dhënat nga statistikat shtetërore tregojnë se dy të tretat e popullsisë joaktive janë gra, të cilat janë kryesisht amvisë.

Pothuajse 40 për qind e popullsisë joaktive në Maqedoni të moshës 25 deri në 54 vjeç, pra 73 mijë persona, kanë arsim të mesëm, rreth 7 për qind, pra rreth 15 mijë persona kanë arsim të lartë, gjysma me arsim fillor, ndërsa pjesa tjetër pa arsim fillor. /Ajo.mk

 

Leave a Reply

Your email address will not be published.