NIS FUSHATA “NE JEMI ME JU – SË BASHKU KUNDËR DHUNËS NDAJ GRAVE DHE VAJZAVE”

NIS FUSHATA “NE JEMI ME JU – SË BASHKU KUNDËR DHUNËS NDAJ GRAVE DHE VAJZAVE”

“Ne jemi me ju – Së bashku kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave” është fushata e cila ka filluar sot dhe ka për qëllim të rrisë ndërgjegjësimin për dhunën dhe gjithashtu të inkurajojë raportimin e saj. Fushata nisi sot dhe u hap nga Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale Jovanka Trençevska dhe ambasadori i Mbretërisë së Holandës Dirk Jan Kopp.

Dhuna nuk duhet të heshtet dhe të fshihet, ajo nuk duhet të trajtohet si turp. Në luftën  kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje duhet të gjithë të jemi të zëshëm dhe me këtë ulim fuqinë e dhunuesve, ti dekurajojmë ata, theksoi në fjalën e saj hyrëse Ministrja Trençevska.

“Është shumë e rëndësishme që në moshë të re të ndërgjegjësohen dhe të mësohen fëmijët të njohin dhe të flasin kundër të gjitha formave të dhunës, përfshirë dhunën ndaj vajzave dhe grave. Të folurit dhe të vepruarit vazhdimisht kundër dhunës me bazë gjinore e forcon luftën dhe na bën edhe më të fortë dhe më të bashkuar në fitoren e kësaj beteje të rëndësishme”, shtoi Trençevska.

Vitin e kaluar, Ministria e Punës dhe Politikës Sociale miratoi Ligjin për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Dhuna ndaj Grave dhe Dhunës në Familje, dispozitat e të cilit tregojnë qartë se dhuna ndaj grave dhe dhuna në familje nuk mund të konsiderohet si çështje private. Ligji, përmes dispozitës që rregullon kujdesin e duhur të institucioneve, tregon se parandalimi dhe mbrojtja nga dhuna me bazë gjinore ndaj grave dhe dhuna në familje nuk është vullnet i mirë i individit por është obligim i shtetit përmes të gjitha institucioneve kompetente të veprojë me përgjegjësi, në mënyrë të përshtatshme, të shpejtë dhe efikase.

“ Nëse duam të flasim për zbatimin e suksesshëm të kësaj zgjidhjeje ligjore dhe përballimin me sukses të dhunës ndaj grave dhe vajzave si dhe dhunës me bazë gjinore, është e nevojshme që të gjitha hallkat e zinxhirit të luftës së koordinuar kundër dhunës të japin kontributin e tyre njësoj”, tha Trençevska.

Në bazë të Ligjit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna në Familje, Qeveria themeloi Trupin Koordinues Kombëtar për zbatimin e Konventës së Stambollit, përgjegjës për monitorimin e politikave në fusha të gjinisë , bazuar në dhunën ndaj grave dhe dhunën në familje.

MPPS ka 13 qendra për gratë viktima të dhunës në familje (dhe fëmijët e tyre), 10 qendra këshillimore të specializuara për gratë viktima të dhunës dhe dhunës në familje, 8 qendra këshillimore të specializuara për trajtimin psiko-social për autorët e dhunës në familje.

“Është detyrë e secilit prej nesh të reagojë, të raportojë, secili prej nesh mund ta parandalojë dhunën dhe viktimat e dhunës me bazë gjinore, gra dhe vajza, duhet ta dinë se nuk janë vetëm. Ne jemi këtu si institucione, partnerë tanë organizata të shoqërisë civile, roli i të cilave në shoqëri është shumë domethënës dhe sigurisht përkrahja e organizatave ndërkombëtare, sepse dhuna nuk njeh gjini, fe, komb, arsim, profesion, përkatësi politike, si nga ana e viktimës poashtu dhe nga dhunuesi. Vetëm së bashku, me luftë të përbashkët, mund ta fitojmë luftën kundër dhunës”, tha Trençevska.

Ambasadori N. E Dirk Jan Kopp theksoi se të drejtat e barabarta të grave dhe vajzave janë një nga temat prioritare të Mbretërisë së Holandës në politikën e jashtme lidhur me të drejtat e njeriut, duke përfshirë çështjet e rëndësishme të trajtimit të dhunës ndaj grave gjë që konfirmohet nga emërimi i një ambasadori special për të drejtat e grave dhe barazinë gjinore. Ai kërkoi që në vend të zbatohen dispozitat ligjore në praktikë.

“Edhe pse e mirëpres miratimin e Ligjit të ri, dispozitat duhet të fillojnë të zbatohen në praktikë dhe të bëhen pjesë e ndryshimit të të menduarit të njerëzve në Maqedoninë veriore. Dhuna ndaj grave dhe vajzave është ende shumë e përhapur, nuk do të zhduket brenda natës, por është detyra jonë që këtë çështje ta mbajmë gjithmonë në qendër të vëmendjes.”,- tha ambasadori i Holandës, Dirk Jan Kopp.

Fushata “Ne jemi me ju – së bashku kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave” është realizuar nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale në bashkëpunim me Ambasadën e Holandës në vend. Në evenimentin e sotëm morën pjesë zëvendës shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë Kilian Wahl si dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare dhe të shoqërisë civile./Ajo.mk

Leave a Reply

Your email address will not be published.