NËNAT VETUSHQYESE KËRKOJNË NGA MPPS MBROJTJEN E TË DHËNAVE

NËNAT VETUSHQYESE KËRKOJNË NGA MPPS MBROJTJEN E TË DHËNAVE

Publikimi i listave të përfituesve të ndihmës financiare në faqen e Ministrisë për Punë dhe Politik Sociale ka shkaktuar reagimin e nënave vetushqyese.

Ato kanë kërkuar nga shteti “mbrojtjen” e emrave të tyre në listat që MPPS po i bën publike në ueb-faqen e saj.

Listat përmbajnë emrat dhe mbiemrat e të gjithë përfituesve së bashku me adresat e tyre të banimit, që ia bën të mundur çdokujt që dëshiron të lexojë të mund ta bëjë.

Doroti Packova, e cila është drejtuese në Organizatën për Barazi Gjinore dhe të Drejtat e Grave shpjegon arsyen se pse anëtarët e saj besojnë se emrat e tyre nuk duhet të bëhen publike.

“Shumë nga ato nëna beqare kanë një histori të dhunës në familje dhe nuk duan që dhunuesi të dijë se ku jetojnë. Problem është edhe për ata që kanë fëmijë të cilët po hyjnë në moshën e pubertetit, nuk duan që të etiketohen se janë në kufijtë e ekzistencës”, deklaron Packova.

Nga ana tjetër, nga MPPS thonë se para se të publikojnë listat janë konsultuar me Agjencinë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe se informacionet në ato lista nuk cenojnë të drejtën për mbrojtjen e të dhënave personale.

“Ju njoftojmë se listat janë publikuar në përputhje me nenin 17, nenin 18, dhe nenin 19, të ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale, si dhe në lidhje me nenin 5 të ligjit për mbështetje financiare të kategorive të cenueshme për përballje me krizën energjetike. Ministria e Punës dhe Politikës Sociale drejtohet sipas parimit të transparencës, llogaridhënies dhe informimit në kohë dhe të saktë të qytetarëve për çështje të cilat janë në interes të tyre”, thonë nga MPPS.

Nga atje gjithashtu sqaruan se kjo është bërë me qëllim që nëse dikush nga kjo kategori që mbulohen nga ligji nuk është në listë por mendon se i plotëson kushtet, të mund të paraqes ankesë në Komisionin për vendime të cilin MPPS e formon tre ditë pas publikimit të listave të përfituesve të mbështetjes financiare.

Në ueb-faqen e ministrisë janë publikuar lista edhe të përfituesve tjerë si, përfitues të shtesave të fëmijëve, përfitues të së drejtës për sigurime shoqërore për të moshuarit, kompensim për persona me aftësi të veçanta dhe kujdes nga një person tjetër, dhe prindër beqar që janë përfitues të ndihmës minimale.

Bëhet fjalë për ndihmë prej 3.000 denarëve në muaj e cila do të jepet në 4 muajt e ardhshëm, dhe është në përputhje me ligjin për mbështetjen e kategorive të rrezikuara të qytetarëve për t’u përballur me krizën energjetike e cila erdhi si pasojë e agresionit rus në Ukrainë.

Ish-drejtori i Agjencisë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale si dhe ekspert i pavarur Dimitar Gjeorgjevski thotë se nuk ka shkelje të të drejtave për mbrojtje të të dhënave personale, por e diskutueshme është mënyra se si është bërë.

“Megjithatë, bëhet fjalë për një kategori të cenueshme të qytetarëve që gëzojnë mbrojtje më të lartë në çdo sferë, përfshirë këtu edhe mbrojtjen e të dhënave personale. Jam i sigurt që qëllimi nuk ka qenë i keq, por mënyra se si u bë kjo është e diskutueshme. Në epokën e digjitalizimit ka mundësi teknike për t’u krijuar një sistem i përshtatshëm në të cilin privatësia nuk do të ekspozohet në sytë e publikut”, tha Gjeorgjevski.

Nuk është shkelur e drejta për mbrojtje të të dhënave personale për shkak se listat nuk përfshijnë numrat amë të përdoruesve, por sipas Gjeorgjevskit listat mund të kenë pasur më pak të dhëna dhe të arrijnë deri tek qëllimi për të cilin janë publikuar.

Por Packova thotë se do të reagojnë tek ministria përkatëse dhe do të kërkojnë që ato të dhëna të mbrohen dhe të jenë të disponueshme vetëm për punë kërkimore dhe jo për inspektim publik. Të dhënat publikisht të disponueshme për persona që përdorin një lloj ndihme sociale mund që më pas të shkaktojnë ndjenjë të pakëndshme tek kategoritë e cenueshme, veçanërisht në shoqërinë tonë që sipas hulumtimeve ka një tolerancë të ulët për “të ndryshmit”. Nga ndihma shtetërore për kategori të rrezikuara do të përfitojnë rreth 180 mijë qytetarë ose 10% e popullsisë. Sipas të dhënave të Bankës Botërore për këtë vit, 18% e popullsisë në Maqedoninë e Veriut po jeton në varfëri. (koha.mk)

 

Leave a Reply

Your email address will not be published.