PANDEMIA NDIKOI NË ULJEN E VAKSINIMIT TË FËMIJËVE ME VAKSINAT E RREGULLTA

PANDEMIA NDIKOI NË ULJEN E VAKSINIMIT TË FËMIJËVE ME VAKSINAT E RREGULLTA

Pandemia ka ndikuar dukshëm në uljen e vaksinimit të fëmijëve me vaksinat e rregullta në Maqedoninë e Veriut, siç janë vaksinat MMR apo vaksina kundër fruthit, rubeolës dhe shytave, thonë mjekët pediatër.

“Shkollat dhe kopshtet nuk punonin në kohë pandemie, prandaj nuk kishte mundësi si të thirreshin fëmijët për t’i vaksinuar. Njëherësh prindërit kishin frikë nga infeksioni dhe në të njëjtën kohë kishim dhe masat për parandalimin e virusit që të mos dilej nga shtëpia. E gjithë kjo ndikoi në uljen e përfshirjes së vaksinimit te fëmijëve”, thonë nga Shoqata e Mjekëve Amë.

Për sigurimin e imunitetit kolektiv nevojitet që të vaksinohen më shumë 95 për qind e fëmijëve me vaksinat MMR kundër fruthit, rubeolës dhe shytave. Sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik në Maqedoninë e Veriut, gjatë vitit 2020 vetëm 63 për qind e fëmijëve e kanë marrë dozën e parë të kësaj vaksine, si dhe 68 për qind e tyre janë vaksinuar me dozën dytë. Në vitin 2021, shkalla e vaksinimit të fëmijëve me dozën e parë për fruthin dhe rubeolën ka arritur në 70 për qind. Ndërkaq me dozën e dytë janë vaksinuar 80.4 për qind e fëmijëve, që është larg përqindjes së nevojshme për arritjen e imunitetit kolektiv.

Mjekët ftojnë prindërit që t’i vaksinojnë fëmijët e tyre si proces shumë i rëndësishëm pasi komplikimet nga fruthi mund të nxisin inflamacion të veshit të mesëm dhe pneumonisë dhe në rastin më të keq virusi i fruthit mund të nxisë dhe meningjitin, i cili mund të çojë në dëmtime të rënda të trurit dhe paaftësi mendore apo edhe humbjen e jetës./Ajo.mk

Leave a Reply

Your email address will not be published.